Dekreti, Topi kthen Kodin në Kuvend
Presidenti kthen Kodin për çështje teknike. S’merren parasysh pretendimet e disa partive të vogla për përbërjen e komisioneve
Arsyeja lidhet me përplasje nenesh në paragrafin ku Topi duhet të shpallë zgjedhjet, jo më vonë se 9 muaj nga mbarimi i mandatit të Kuvendit
TIRANË- Debati politik për Kodin Zgjedhor, rihapet edhe një herë. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka vendosur të mos hapë “dritën jeshile” për futjen në fuqi të ligjit të ri zgjedhor. Ai ka shpallur dje dekretin presidencial për të rikthyer edhe një herë në Kuvend këtë ligj, me argumentin se ai krijon mospërputhje kohore me Kushtetutën për kryerjen e aktit të përcaktimit të datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Dekretin dhe arsyet që e çuan atë në këtë vendim, kreu i shtetit ia ka bërë të njohur Kuvendit të Shqipërisë nëpërmjet një letre, e cila është publikuar dhe në faqen zyrtare të Presidencës.
Letra
Në letrën e vet, numri një i shtetit bën në fillim një parashtresë të situatës dhe nevojës për të respektuar afatet kushtetuese, për të realizuar zgjedhje konform standardeve të kërkuara edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Kështu, Topi shprehet se reformën zgjedhore, debatet mbi këtë reformë dhe ligjet që kanë të bëjnë me proceset elektorale, i ka vlerësuar si mjaft të rëndësishme për ecurinë dhe rritjen e standardeve të administrimit të procesit zgjedhor. Sipas tij, respektimi i afateve ligjore do të jepte garancitë e duhura për realizimin e një procesi normal zhvillimi të demokracisë dhe pluralizmit në vend dhe më tej, realizimin e aspiratave të tij Euro-Atlantike. Në këtë mënyrë, ai megjithëse e vlerëson ligjin zgjedhor të miratuar gati dy javë më parë nga Kuvendi, si një përpjekje serioze dhe të domosdoshme për miradministrimin e procesit zgjedhor, gjen në të arsye për ta kthyer edhe njëherë në Kuvend për rishqyrtim. Arsyeja lidhet me pikën dy të nenit 8 të këtij ligji, ku përcaktohet se kreu i shtetit është i detyruar që të shpallë datën e zgjedhjeve parlamentare jo më vonë se 9 muaj nga mbarimi i mandatit të Kuvendit ekzistues. Duke përllogaritur se mandati i Kuvendit aktual mbaron pikërisht më 3 shtator të vitit të ardhshëm, atëherë data e zgjedhjeve duhet të ishte shpallur, minimalisht dje. Për këtë arsye, duke përllogaritur dhe kohën dyjavore që ligji duhet të hyjë në fuqi pas dekretit, Presidenti ka vendosur të shmangë një shkelje të këtij afati, që është i sanksionuar edhe në Kushtetutë. “Duke qenë që neni 65, pika 2 e Kushtetutës përcakton se “zgjedhjet për Kuvendin e ri zhvillohen në periudhën zgjedhore më të afërt që i paraprin datës së përfundimit të mandatit të Kuvendit”, atëherë periudha zgjedhore, brenda së cilës duhen zhvilluar zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme për Kuvendin, është periudha 15 mars deri më 30 qershor. Neni 9, pika 2 e ligjit të ardhur për shpallje, ka përcaktuar detyrimin e Presidentit të Republikës për nxjerrjen e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin, jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit, pra, një afat, i cili nuk mund të respektohet për periudhën zgjedhore 15 mars – 30 qershor”, - shprehet kreu i shtetit në letrën e vet.
Zgjidhja
Duke ushtruar kompetencën e tij kushtetuese, Presidenti shpreh besim se pas këtij vendimi, Kuvendi do të pasqyrojë vullnet maksimal politik dhe do të bëjë korrigjimet e nevojshme për shmangien e mospërputhjeve në afatet e vendosura në ligj. Por, faktikisht, ajo që i mbetet në këtë rast Kuvendit për të bërë, është që ta zgjidhë këtë ngërç nëpërmjet dy rrugëve: Të korrigjojë Kodin e ri Zgjedhor në nenin 9 të tij, duke shkurtuar afatin ligjor që duhet të ketë në dispozicion kreu i shtetit për të shpallur datën e zgjedhjeve, nga 9 muaj përpara mbarimit të mandatit të Kuvendit, në një kohë më të reduktuar fizike, ose të bëjë një shtesë në kapitullin e dispozitave kalimtare, ku të përcaktojë se për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, afati 9-mujor të mos jetë i detyrueshëm për t’u respektuar nga kreu i shtetit. Megjithatë, ajo që duket më e lehtë për t’u realizuar nga Kuvendi në këtë rast, është zgjidhja e dytë, për të shtuar një dispozitë të përkohshme në Kod.
KodiPresidenti i Republikës sqaron arsyet e një vendimi të tillë
Kodi, Topi: Zbatova Kushtetutën
TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nuk është mjaftuar vetëm me letrën që i ka nisur Kuvendit, për të sqaruar arsyet që e çuan atë në marrjen e vendimit për kthimin e Kodit të ri Zgjedhor për rishqyrtim nga legjislativi. Ai ka shfrytëzuar një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidentin bullgar, Georgi Permanov, për të sqaruar edhe një herë pozicionin e vet në këtë debat delikat politik. Ai ka bërë të ditur se, duke qenë një njohës i mirë i diskutimeve politike për reformat elektorale, nuk ka dashur që si President i Republikës dhe garant i Kushtetutës, të lejojë të shkelet afati ligjor për përcaktimin e datës së zgjedhjeve. “Ka pasur një moment që unë, me pak fjalë, po e them dhe ka të bëjë me një mospërputhje të një momenti kushtetues, që ka të bëjë me kohën e zhvillimit të zgjedhjeve”, - tha Presidenti Topi. Duke hyrë në termat konkretë ligjorë dhe kohorë, kreu i shtetit ka theksuar se nenet që përcaktojnë periudhat zgjedhore dhe afatin kohor në kod, nuk e lejon atë që për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të përcaktojë më një datë se kur do të mbahen ato. Kjo për shkak se, që dje, ka kaluar afati kohor prej nëntë muajsh, para që përcaktohet në këtë kod për të shpallur datën e zgjedhjeve. “Sipas Kodit, tekstualisht shprehet që, Presidenti është i detyruar që jo më shumë, ose jo më afër se nëntë muaj, pra, minimalisht nëntë muaj përpara, të dekretojë datën e zgjedhjeve. Pra, merrni në konsideratë dhe kalkuloni kohën. Jemi në dhjetor. Unë, edhe sikur të kisha firmosur dekretin për ta miratuar ligjin, kërkonte dy javë për të kaluar në Fletoren Zyrtare dhe nga ai moment, përfytyroni se ku kalkulohet nëntë muajshi. Pra, zgjedhjet, që sipas Kushtetutës, zgjedhjet politike do të bëhen në pranverë, kalojnë të bëhen në vjeshtë, pra, ka një mospërputhje kushtetuese. Dhe, në këto raporte, Kushtetutë - ligj elektoral, mbizotëron Kushtetuta. Unë kam qenë i detyruar, duke qenë garant i Kushtetutës”, - tha Topi në komunikimin e tij me gazetarët.
Reagon edhe PR-ja: Argumenti qëndron, por nuk e zgjidh dot problemin
Topalli: Topi u identifikua me pakicën
TIRANË- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka mbetur e zhgënjyer nga vendimi i Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për të mos dekretuar Kodin e ri Zgjedhor. Menjëherë sapo Presidenca ka bërë të ditur dekretin refuzues, ka reaguar kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila nga Britania e Madhe ku po merr pjesë në një vizitë zyrtare në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, është shprehur se është e papranueshme që një ligj i tillë, i kaluar me një shumicë dërmuese votash, me konsensusin më të madh të mundshëm politik, të kthehet si i papranueshëm nga Presidenti. Ajo nuk ka nguruar ta vlerësojë këtë vendim të Presidentit si një bashkim me pakicën dhe kundërvënie e shumicës. “Në rastin e Kodit, Presidenti është identifikuar me pakicën, pasi ky ligj ka kaluar me votë konsensuale nga shumica e Kuvendit, përfshi këtu dhe dy partitë e mëdha politike në vend”, - tha Topalli. Ndërkohë që, ky nuk ka qenë reagimi i vetëm negativ ndaj qëndrimit të Presidentit i ardhur nga mazhoranca. Kjo pasi, edhe kryetari i Grupit Parlamentar Republikan, Arian Madhi, ka vlerësuar si të nxituar dhe të papjekur vendimin e kreut të shtetit, në rastin e mos dekretimit të Kodit. Sipas tij, vullneti i gjerë politik, me të cilin u miratua ky kod, ka qenë tepër domethënës për këdo, përfshi këtu edhe për Presidentit. Prandaj, ka theksuar ai, vendimi për të mos marrë parasysh këtë vullnet nga ana e Presidentit, lë një shije të hidhur. “Sigurisht unë nuk jam i edukatës që ne të shkelim ligjin, por sigurisht një shkelje e vogël, që nuk ka pasoja, mendoj se do ishte tolerante. Kodi që miratuam, nuk është kodi i zgjedhjeve të 2009-s, po është kodi i shumë zgjedhjeve. Duhej të merrej në konsideratë vështirësia që u realizua vendimmarrja”, - tha Madhi. Sipas tij, vendimi i kreut të shtetit, pavarësisht se është i drejtë, nuk e zgjidh problemin që lidhet me afatin e shpalljes së datës së zgjedhjeve, por e bën edhe më të vështirë.
QëndrimiPS-ja mirëpret argumentin e Topit për të riparuar kodin nëpërmjet përcaktimeve të qarta ligjore, për t’i krijuar hapësirën e duhur institucionit të kreut të shtetit, që të mos shkelë asnjë ligj
PS-ja: Topi ka të drejtë, do ta korrigjojmë
TIRANË- Ndryshe nga demokratët, të cilët nuk e kanë mirëpritur mos dekretimin e Kodit të ri Zgjedhor nga ana e kreut të shtetit, socialistët janë më të rezervuar në qëndrimin e tyre, duke shprehur gatishmërinë për të korrigjuar sa më parë këtë ligj. Me anë të një deklarate për mediat, Partia Socialiste bën të qartë pozicionin e saj karshi detyrimit ligjor për të zbatuar afatet kushtetuese, por duke evidentuar nevojën për të pasur sa më parë një Kod Zgjedhor, që të veprojë si garancia e vetme për të siguruar infrastrukturën e duhur për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kështu, vetëm pasi u njoh me dekretin e Presidentit të Republikës, për kthimin në Kuvend për rishqyrtim të projektligjit për Kodin Zgjedhor, Partia Socialiste çmon vlerësimet e bëra nga Presidenti në letrën sqaruese të dekretit për punën e bërë për Kodin e Ri Zgjedhor dhe për standardet e mishëruara në të, për sa i përket administrimit të zgjedhjeve në vend. Më pas, në këtë deklaratë, PS-ja bën të qartë se e mirëpret argumentin e kreut të shtetit për të riparuar kodin nëpërmjet përcaktimeve të qarta ligjore, për t’i krijuar hapësirën e duhur institucionit të kreut të shtetit, që të mos shkelë asnjë ligj në kryerjen e detyrimit të tij kushtetues të shpalljes së datës së zgjedhjeve. Megjithatë, selia rozë thekson se pavarësisht se në kod është përcaktuar afati 9-mujor për shpalljen e datës së zgjedhje, ky mbetet një parim i përgjithshëm, i cili i lejon kreut të shtetit që të vepronte edhe pa e respektuar atë në mënyrë fikse. “Partia Socialiste e mirëkupton kërkesën e Presidentit të Republikës për saktësimin e nuancës juridike që lidhet me afatin ligjor për nxjerrjen e dekretit për datën e zgjedhjeve, pavarësisht faktit se, në këndvështrimin tonë, ky afat është një parim i përgjithshëm që vendoset në Kodin Zgjedhor dhe Presidenti nuk ka, aktualisht, asnjë pengesë për dekretimin e zgjedhjeve sipas Kushtetutës”, - theksohet në deklaratën për shtyp, të shpërndarë nga Partia Socialiste. Gjithsesi, pavarësisht këtyre komenteve, Partia Socialiste shprehet e gatshme që, pa humbur kohë, të votojë në Kuvend për saktësimin e nuancës juridike që lidhet me nenet 8 dhe 9 të Kodit Zgjedhor, por pa bërë të qartë nëse do të votojë për një amendament shtesë në kapitullin e dispozitave kalimtare, apo do të bëjë një ndryshim në dy nenet e sipërcituara për të sanksionuar një formulë të re të përllogaritjes së periudhave zgjedhore dhe afatit që duhet t’i lihet kreut të shtetit në dispozicion për të shpallur datën e zgjedhjeve. Kodi Zgjedhor i pa dekretuar, përcakton në nenin 8 të tij se zgjedhjet e përgjithshme, apo lokale, zhvillohen në një ditë dhe brenda periudhës zgjedhore, që shtrihet nga 15 marsi, deri në 30 qershor, ose nga 15 shtatori, deri në 30 nëntor. Ndërkohë që, neni 65, pika dy e Kushtetutës, përcakton detyrimin se zgjedhjet për Kuvendin e ri zhvillohen në periudhën zgjedhore më të afërt, që i paraprin datës së përfundimit të mandatit të Kuvendit. Sipas këtyre neneve të dy ligjeve të ndryshme, del se zgjedhjet e ardhshme, për shkak se mandati i Kuvendit aktual mbaron më 3 shtator, duhet të zhvillohen në një nga dy të dielat e fundit të qershorit. Por, ndërkohë, neni 9 i Kodit përcakton detyrimin ligjor të kreut të shtetit për të shpallur datën e zgjedhjeve 9 muaj përpara skadimit të mandatit të Kuvendit aktual, çka në kushtet e tanishme kohore, një gjë e tillë është e pamundur të realizohet, pasi data e djeshme, pra 3 dhjetori, ka qenë dhe afati i fundit kur Presidenti duhet të kishte shpallur datën për të arritur afatet ligjore.
ReagimiNard Ndoka: Vendimi, i drejtë
TIRANË- Partia Demokristiane e Shqipërisë përshëndet vendimin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për kthimin në Parlament të Kodit Zgjedhor, për shkak të mospërputhjeve të dukshme antikushtetuese. Kryetari i kësaj force, Nard Ndoka, në një dalje të posaçme për mediat, ka shprehur vlerësimin e tij se, dekreti presidencial, vërtetoi saktësinë dhe drejtësinë e kritikave që kjo forcë bëri gjatë hartimit të Kodit Zgjedhor, pavarësisht se në letrën shpjeguese, Presidenti i Republikës nuk atakon asnjë nen tjetër të këtij ligji, përveç atij që ka të bëjë me përcaktimin e datës së zgjedhjeve. “Nëse Kodi do të kishte qenë objekt i debatit publik, një produkt gjithëpërfshirës dhe, nëse do të ishte respektuar rregullorja e Parlamentit për afatet e futjes në rendin e ditës dhe në votim i tij, atëherë paqartësi të tilla nuk do të kishin ndodhur dhe, tashmë, Shqipëria do të kishte një Kod Zgjedhor shumë më të mirë dhe më të pranueshëm”, - tha Ndoka. Ndërkohë, Partia Demokristiane vlerëson se, tani që Kodi Zgjedhor rivjen në Parlament për të bërë ndryshimet e kërkuara nga Presidenti, është rasti që të rishihen edhe një herë ato pika, për të cilat ka pasur kundërshtime nga disa forca politike.