E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debati, Berisha vlerëson figurën e Skënderbeut

Në kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike, do të vendoset figura e Skënderbeut

TIRANË- Kartat e ardhshme të identitetit, por edhe pasaportat biometrike, do të kenë si dizenjo të tyren, figurën e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Këshilli i Ministrave miratoi dje, në mbledhjen e radhës, vendimin “Për miratimin e dizenjos përfundimtare të dokumenteve të identitetit, letërnjoftimit elektronik dhe pasaportës elektronike”. Në fillim të mbledhjes së qeverisë, Kryeministri Sali Berisha deklaroi se tek dokumentet e identifikimit do të jetë figura e Heroit tonë Kombëtar, duke e vlerësuar këtë figurë si përfaqësuesen më dinjitoze të kombit shqiptar. “Dua të veçoj sot vendimin për miratimin e dizenjos së dokumenteve të identitetit, letërnjoftimeve dhe pasaportave. Skënderbeu është ai që i ka frymëzuar dhe frymëzon më shumë se kushdo tjetër shqiptarët drejt Evropës. Nuk mund të ketë personalitet tjetër që të ketë mbajtur shpirtin e një kombi, siç ka mbajtur ai gjallë shpirtin e kombit shqiptar. Në tërësinë e tij, ai përbën sipas të gjithë historianëve, rastin më të pashembullt. Ai pati shtet, kur të tjerët nuk kishin shtet, kur shtetet e rajonit kishin rënë njëri pas tjetrit. Bizanti vetë ishte shembur. Kështu që, kam shumë kënaqësi të vendosim sot, të kemi në dokumentet e reja, dokumentet që na bashkojnë, të standardeve evropiane, Skënderbeun në çdo faqe të tyre,”- tha Berisha. Në këtë mënyrë, Kryeministri Sali Berisha, përmes vendimit të marrë dje, u ka dhënë përgjigje edhe debateve të fundit mbi figurën e Skënderbeut. Po dje, gjatë mbledhjes se qeverisë, Berisha ka folur edhe për arritjet, sipas tij, në zbatimin e ligjit të koncesioneve, duke shtuar se në 18 muaj janë dhënë me koncesion 146 hidrocentrale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›