Vendimi, Berisha i dhuron Lesit 1 mln lekë
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha i “dhuron” 100 mijë lekë të rinj deputetit demokristian, Nikollë Lesi. Këshilli i Ministrave ka vendosur dje dhënien e fondit partisë së re, “Lidhja Demokristiane e Shqipërisë”, që kryesohet nga deputeti Nikollë Lesi. Përmes këtij fondi, që vjen si rezultat i detyrimeve që përcakton ligji i partive politike, kësaj partie i jepet mundësia për të ngritur infrastrukturën fillestare, në një kohë që jemi pranë zgjedhjeve parlamentare të2009-s. Përmes këtij vendimi, Kryeministri Berisha, në një farë mënyre, (edhe pse detyrim ligjor), i ka dhënë mbështetjen krijimit të një partie të re që pritet të shfaqet brenda së djathtës. Dihet tanimë qëndrimi që kryetari i LDK-së, Nikollë Lesi, ka mbajtur ndaj qeverisë, si dhe vota pro që deputeti i dha Kodit të ri Zgjedhor. Partia e Lidhjes Demokristiane e Shqipërisë, u krijua menjëherë pas debatit të brendshëm që deputeti Nikollë Lesi pati me kryetarin aktual të PDK-së, Nard Ndoka. Asokohe, deputeti demokristian deklaroi se partia e Ndokës nuk përfaqëson më vlerat demokristiane dhe se për këtë qëllim, ai do të fillonte një tjetër lëvizje politike që përfundoi, edhe kësaj here, me krijimin e një partie të re.