Banda e policëve të rremë, 4 grabitje në Tiranë
Policia arreston dy të rinj dhe shpall në kërkim një të tretë, pasi, duke u shtirur si punonjës policie, grabisnin drejtues automjetesh në kryeqytet
Tiranë Të veshur civilë e të pajisur me karta identiteti të cilat i prezantonin si dokumente policie, tre të rinj ndalonin drejtues automjetesh, duke vjedhur çdo send me vlerë që kishin me vete. Burime zyrtare nga policia bënë të ditur se të dyshuarit u grabisnin viktimave që nga celularet, lekët e deri te dokumentet. Pas hetimeve dyjavore me metodat speciale të hetimit, seksioni kundër vjedhjeve me dhunë ka arrestuar dy prej tyre, ndërsa i treti është shpallur në kërkim. Erland Markola, 23-vjeç dhe Enea Kajaci, 22 vjeç, janë dy “policët” e rremë të arrestuar për grabitje dhe u shpall në kërkim Fatmir Gjoçi, i cili e ka ndërruar emrin në Alban Ila. Skema e ndjekur prej grabitësve, sipas burimeve të sigurta të policisë, ishte e njëjtë për të katër rastet e denoncuara nga të dëmtuarit. Madje, njëri prej tyre është dhunuar, pas rezistencës ndaj policëve të rremë. Të dyshuarit, sipas policisë, kanë kryer vjedhjen me dhunë në korrik 2011 të një shtetasi kosovar, mandej në nëntor kanë kryer edhe tri vjedhje të tilla në Tiranë, konkretisht në rrugën "Bedri Karapici", "Konferenca e Pezës" dhe "Irfan Tomini". Pas arrestimit, të rinjtë janë izoluar në mjediset e policisë, prej nga edhe do të përballen me akuzat e vjedhjes me anë të mashtrimit.