Dekreti i Leskajt për KLSH, drejt skadimit afati i shqyrtimit!
Kandidatura e Bujar Leskaj për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit rrezikon të rikthejë debatet mes Parlamentit dhe Presidencës lidhur me zbatimin e rregullores së shqyrtimit të dekreteve të presidentit. Komisioni i Ekonomisë ende nuk ka përcaktuar datën se kur do të zhvillohet séanca dëgjimore me Leskajn, ndërsa ky i fundit nuk është njoftuar ende për zhvillimin e kësaj séance dhe ka shmangur çdo koment publik rreth kandidimit. E megjithatë, kandidatura e tij është propozuar nga presidenti me 17 nëntor, pra 3 javë më parë. Referuar rregullores së Kuvendit, në nenin 111, pika 3 e saj parashikohet se kryetari i Kuvendit ia kalon dekretet e Presidentit menjëherë komisionit përkatës, i cili duhet të shqyrtojë dekretin brenda një afati trejavor. Me datën 8 dhjetor mbushen 3 javë nga shpallja e dekretit dhe nëse shqyrtimi nuk do të bëhet kësaj jave, atëhere mund të krijohet një ngërç i ri, i përsëritur edhe më parë me dekretin për Gjykatën Kushtetuese.
Në këtë rastin e fundit, arsyeja e vonesës u argumentua me faktin se dorëzimi i emrit në Kuvend ishte bërë me vonesë për shkak se ishte fundjavë, çka kishte sjellë edhe shtyrjen e afatit të shqyrtimit. Në rastin aktual, çështja është ndryshe. Heshtja e kryeministrit rreth kësaj kandidature ka shkaktuar jo pak diskutime ku kjo vonesë analizohet në tre opsione të cilat i bashkon një pikë e vetme, ajo e shmangies së zhurmës apo diskutimeve publike të gjata. Opsioni i parë është ai që kandidatura e Leskaj mund të miratohet, pas një shqyrtimi pak para seancës plenare ku do të votohet. Kjo do të ishte një mënyrë pak e zhurmshme e pranimit të kandidaturës së pakonsultuar të presidentit dhe një thyerje e heshtur e premtimit publik të bërë në rastin e kandidaturës së Sali Shehut, ku u paralajmërua rrëzimi i çdo kandidature që do të vinte e pakonsultuar, pavarësisht emrit. Opsioni i dytë është ai i zhvillimit të një séance dëgjimore pak para seancës plenare, ku komisioni mund të propozojë rrëzimin e kandidaturës së Leskajt, propozim i cili do të merrte votën e menjëhershme kundër në seancë plenare, duke e mbyllur brenda pak ditëve diskutimet apo debatet publike dhe duke i dhënë presidentit mesazhin se duhet të propozojë një emër të ri, tashmë të konsultuar me mazhorancën.
Një opsion tjetër që diskutohet, por që ka pak shanse për shkak se shqyrtimi është i detyrueshëm nga rregullorja e Parlamentit, është ai i zvarritjes së mëtejshme të dekretit duke mos e marrë parasysh dhe duke shmangur në këtë mënyrë edhe pakënaqësitë që mund të lindin në Partinë Demokratike për shkak se Leskaj është një figurë që gëzon mbështetje në kampin demokrat dhe ka qenë deputet e ministër në mandatin e parë qeverisës të kësaj force. Pavarësisht këtyre opsioneve që diskutohet për shkak të heshtjes së kryeministrit i cili ende nuk ka dhënë direktivën politike që do të ndiqet me dekretin, në kampin demokrat kanë ardhur disa sinjale se mund të votohet pro Leskajt si kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, pohim që gjen mbështetje edhe nga aleatët në parlament. Disa prej deputetëve demokratë si Edi Paloka apo ndonjë tjetër kanë deklaruar se janë pro kandidaturës së Leskajt por kanë saktësuar se do të zbatojnë vendimin politik të grupit, pra që edhe nëse ai do të jetë negativ, ai do të zbatohet