Avokati i Popullit, 31 kandidatë aplikojnë në PS
Partia Socialiste ka mbyllur fazën e parë të procesit të përzgjedhjes së kandidatit që do t’i propozojë Kuvendit për Avokat të Popullit, fazë që ka të bëjë me aplikimet e ardhura online dhe ato të paraqitura dorazi. Në total bëhet fjalë për plot 31 kandidatë që kanë paraqitur interes për të marrë pjesë në këtë garë, ku nuk kanë munguar edhe aplikime nga jashtë vendit. Ka qenë anëtarja e komisionit të posaçëm që ka ngritur PS-ja për këtë proces, Eglantina Gjermeni ajo që ka konfirmuar këtë fakt, duke sqaruar edhe procedurat që do të pasojnë deri në përzgjedhjen e emrit të vetëm që do t’i paraqitet Kuvendit.
Aplikimet
Selia rozë ndjehet e surprizuar për ecurinë e procesit të përzgjedhjes së kandidatit për Avokat të Popullit. Në datën 5 ka përfunduar afati i aplikimeve dhe dje, grupi i punës i ngritur për këtë qëllim nga PS-ja, ka bërë bilancin ku në total rezulton se kanë shprehur interes duke paraqitur dokumentacionin e nevojshëm plot 31 persona. Interesi i lartë i shprehur nga kandidatët aplikantë ka lënë të kënaqur anëtarët e këtij grupi pune, të cilët shprehen se në fund do mund të zgjidhet një person që gëzon cilësitë e duhura për të qenë në këtë post. “Komisioni është i surprizuar nga numri i madh i aplikantëve. Kanë aplikuar 31 aplikantë për funksionin e Avokatit të Popullit. Larmia e CV-ve, e kualifikimeve shkencore, e aktivitetit në fushat e të drejtave të njeriut është një pasuri brenda kësaj liste, gjë që do ta bëjë procesin përzgjedhës për Avokatin e Popullit më të vështirë”, - u shpreh Eglantina Gjermeni. Megjithatë, ajo s’ka dashur të japë emra konkretë të personave që kanë aplikuar, por thjesht shprehet se ka aplikime edhe nga Kanadaja apo SHBA.
Procedura
Pas kësaj etape, komisioni i ngritur nga selia rozë me pjesëmarrjen e tre deputetëve dhe dy juristëve, do të vijojë punën duke marrë në pyetje secilin prej kandidatëve. Kështu do të zhvillohen seanca dëgjimore si ato që aktualisht zhvillon Kuvendi me kandidatët e paraqitura nga Presidenti për postet në institucionet kushtetuese. Pas përfundimit të procesit të pranimit të kërkesave, komisioni përzgjedhës do të bëjë një vlerësim paraprak të tyre dhe do të ftojë në dëgjesë publike kandidatet/ët më të vlerësuar. Jo më vonë se data 15 dhjetor 2011, ky komision do të përgatisë një raport me shkrim për kandidaturat dhe një propozim konkret për kryesinë e Partisë Socialiste e për grupin e saj parlamentar. Siç bëhet e ditur në faqen e posaçme të hapur në internet për këtë qëllim, komisioni përzgjedhës garanton çdo të interesuar për një proces transparent të bazuar vetëm mbi meritën dhe mbi performancën e çdo kandidati apo kandidateje. Mandati i këtij komisioni ad hoc ka në thelbin e përmbajtjes së vet qëllimin e Partisë Socialiste për të gjetur dhe mbështetur një kandidaturë që të përfaqësojë sa më mirë interesin publik për një Avokat të Popullit në shërbim të Kushtetutës, ligjit e të të gjithë qytetarëve shqiptarë pa dallim moshe, gjinie, feje, krahine, bindjesh politike.