Itali, arrestohet bosi i fundit i kamorrës
Policia italiane ka arrestuar të shumëkërkuarin Michele Zagaria, kreun e fundit të kamorrës. 53-vjeçari Zagaria është arrestuar në një bunker të ndërtuar në brendësi të një banese në Caserta.
Vendi i fshehtë ku u kap kryemafiozi Zagaria ishte nën tokë dhe lidhej me ambientet e brendshme të shtëpisë me anë të një tuneli të betonuar me gjatësi 5 metër.
Sipas mediave italiane, në momentin e kapjes, Zagaria i është përgjigjur me ironi forcave të policisë: Fituat ju, fitoi shteti.
Zagaria ishte në kërkim që nga viti 1995, për bashkëpunim me organizatat mafioze, vrasje, grabitje e krime të tjera. Që prej vitit 2000, Zagaria ishte në kërkim ndërkombëtar.