E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dekreti i Presidentit, Parlamenti i ri mblidhet më 7 shtator

TIRANË- Me dekret të Presidentit Bamir Topi, Parlamenti i ri i dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit mblidhet më datë 7 shtator. Lajmi i bë publik në faqen zyrtare të Presidencës ku shkruhet se "mbledhja e parë e legjislaturës së XVIII të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, thirret ditën e hënë, datë 07 shtator 2009, ora 18.00".

Pas thirrjes se Kuvendit, partia fituese në zgjedhjet e 28 qershorit do të mandatohet nga Presidenti i Republikës për krijimin e qeverisë së re. Partia Demokratike dhe aleatet e saj e LSI do të nisin zyrtarisht bisedimet për qeverinë e re. Ka dy javë afat, Kryeministri për të paraqitur qeverinë e re Berisha 2, para parlamentit dhe mandej para Presidentit.

Seanca e parë e Parlamentit pritet të drejtohet nga Kryeministri Sali Berisha, i cili për një ditë do të jetë njëkohësisht dhe Kryetar Parlamenti. Kjo pasi Berisha është deputeti më i vjetër i Kuvendit. Rregullorja e funksionimit të brendshëm të Kuvendit, në pikën 1 të nenit 1 të saj, e përcakton qartë se drejtuesi i seancës së parë plenare është deputeti më i vjetër në moshë. Kësisoj, në zbatim të rregullores së Kuvendit, shefit të qeverisë do t'i duhet të drejtojë punimet plenare deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të Parlamentit.

Më pas ndiqet procedura e verifikimit të mandateve të deputetëve të zgjedhur, që kryhet nga Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të anëtarëve të Kuvendit. Pas verifikimit të mandateve deputetët ftohen të bëjnë betimin, Punimet e seancës të legjislaturës së re pasohen me zgjedhjen e Kryetarit dhe të Byrosë së Kuvendit.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›