E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: Ja arsyet pse u tërhoqa nga gara për kreun e PS

Sipas Malajt gara do të krijonte më tej përçarje në PS, ndërsa ka shtuar se kandidimi i Ramës ka cenuar kredibilitetin. “Nuk u ofrua bashkëpunim brenda Partisë Socialiste”, theksoi Malaj para gazetarëve. Sipas tij, brenda partisë disa persona po përdoren nga kryetari në detyrë Edi Rama.

“Të zgjasësh mandatin kur ke humbur, është një mentalitet diktatorial. Detyra jonë është të paralajmërojmë, që gjithnjë e më tepër shqiptarët të jenë të qartë që ky lloj lidershipi është një rrezik për të ardhmen e Partisë Socialiste”, tha më tej deputeti Arben Malaj.

Duke folur për idenë e bojkotit të Parlamentit e hedhur nga Edi Rama në konferencën për shtyp të së dielës, Malaj tha se kjo nuk është rruga e duhur dhe se bojkoti nuk duhet të ketë një objektiv. “Është e qartë se ideja e bojkotit, është ideja e kryetarit dhe e një grupimi përkrah tij. Për zgjedhjet kemi të gjithë ide të njëjtë, që ato ishin të cunguara. Opozita e vërtetë bëhet vetëm në Parlament dhe brenda institucioneve. Cili është objektivi i bojkotit? Sa do të zgjasë?”, tha më tej ai.

Në konferencën për shtyp ishte i pranishëm edhe Ben Blushi, i cili deklaroi se Kongresi i Jashtëzakonshëm, i cili zhvilloi punimet të shtunën, nuk ishte transparent. Edhe Blushi ka kundërshtuar idenë e bojkotit të Parlamentit.

Blushi ka kundërshtuar ashpër rikandidimin e Ramës, duke e vlerësuar si një shaka, që e beson vetëm ai, ndërsa ka sqaruar se me rizgjedhjen e Ramës, ai do të ketë një mandat 6-vjeçar ndryshe nga sa ndodh zakonisht.

“Kryetari i Partisë Socialiste në detyrë është zgjedhur nga një anëtar një votë. Ky mandat është ndërprerë, pasi statuti thekson se mandati ndërpritet kur kryetari i partisë humbet zgjedhjet. Kjo është kontradita e Edi Ramës. Statusi i PS-së, po shkelet në mënyrë sistematike. Ky njeri nuk ka aftësi për të menaxhuar këtë parti politike. Ne nuk kemi fituar sepse Shqipëria nuk ka pasur mundësi të votojë një parti të majtë. PS është një parti e majtë dhe të gjithë ata që janë atje janë të majtë përveç Ramës, i cili nuk është as i majtë dhe as i djathtë”, tha Blushi.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›