E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kroacia do ta mbështes Kosovën

Premtime për mbështetjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës , rrugën e saj të integrime evropiane dhe në NATO kanë ardhur sot nga një delegacion i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kroacisë. Zyrtarë të këtij delegacioni e kanë cilësuar Kosovën si një faktor i pashmangshëm i stabilitetit në rajon si dhe partner shumë të mirë të Kroacisë. Ata kanë shfaqur gatishmërinë për të pasur marrëdhënie shumë të mira bilaterale midis këtyre dy shteteve, duke i dhënë të gjitha përvojat kroate Kosovës në proceset që ka kaluar ajo. Kjo mbështetje ka ardhur nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, Nebojsha Koharoviç, pas takimit që ka pasur me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Kroacia vazhdon ta përkrah pavarësinë e Kosovës dhe në proceset që po kalon vendi ynë. Këtë mbështetje e ka sjellë në Kosovë një delegacion i Ministrisë së Punëve të Jashtme i Kroacisë.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kroacisë, Nebojsha Koharoviç, pas takimit që e ka pasur me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se Kroacia është e gatshme ta ndihmojë Kosovën në të gjitha proceset që ajo ka nevojë, duke i vënë në shërbim të gjitha përvojat që ajo ka.

“Dëshiroj të shpreh përkrahjen e plotë jo vetëm për pavarësinë e Kosovës, por edhe për kuptimin e plotë të pavarësisë së plotë që ka të bëjë me programin Ahtisaari. Ajo që do te diskutonim me zyrtarët kosovarë është çështja e përkrahjes sonë në integrimin e Kosovës në BE dhe NATO. Ne, si qeveri e Kroacisë, përkrahim fuqimisht Kosovën drejt integrimeve, sepse ne mendojmë se Kosova, jo vetëm që e meriton pas fazave dhe dimensioneve të reformave pas 4 viteve të pavarësisë, por është si shtet që është i pashmangshëm në stabilitetin e rajonit. Kosova është një nga partnerët tanë në rajon dhe ne dëshirojmë të ndajmë eksperiencën lidhur me integrimin në BE dhe NATO”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se vizita e tyre në Kosovë nuk është që të diskutohet vetëm për proceset integruese, por edhe për çështjet bilaterale, të cilat janë shumë të rëndësishme, jo vetëm në fushën e politikës, por edhe në fushën e ekonomisë dhe aspekteve tjera.

Sipas tij, në mes të Kroacisë dhe Kosovës ekzistojnë lidhje të forta, siç janë të forta edhe mes dy kombeve, shqiptarëve të Kosovës dhe kroatëve.

Ai ka përmendur edhe çështjen e minoriteteve, duke thënë se në të dyja vendet jetojnë minoritetet përkatëse, ku në Kroaci ka rreth 30 mijë shqiptarë nga Kosova dhe rreth 350 kroatë jetojnë në Kosovë. Prandaj, sipas tij, kjo e krijon edhe një lidhej të fortë në mes të të dyja shteteve.

Ndonëse takimi ishte zhvilluar në mes të ministrit Hoxhaj dhe delegacionit kroat, pas takimit u prononcua zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Ibrahim Gashi.

Gashi e cilësojë si shumë të frytshme vizitën e delegacionit kroat në Kosovë, duke thënë se Kosova mund të përfitojë shumë nga përvoja kroate në proceset integruese në BE dhe në NATO, si dhe në proceset e ndryshme të shtet ndërtimit që ka kaluar ajo përgjatë këtyre viteve.

“Është një takim punë midis delegacionit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kroacisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, është një takim konsultativ për të parë shkallën e bashkëpunimit midis dy vendeve. Republika e Kosovës është shumë e interesuar që të thellojë bashkëpunimin, që të rrisë numrin e marrëveshjeve bilaterale midis dy shteteve dhe mbi të gjitha që të përfitojë nga përvoja në procesin e shtet ndërtimit, domethënë eksperienca kroate, dhe mbi të gjitha, në procesin e integrimit evropian, ku në fakt Kroacia ka kryer me shumë sukses këtë proces dhe është në fazën finale të anëtarësimit dhe natyrisht eksperienca e Kroacisë është e vlefshme, jo vetëm për Kosovën, por edhe për të gjitha vendet e rajonit”, ka thënë ai.

Ndryshe, Republika e Kroacisë është një ndër shtetet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Po ashtu, në mes të të dyja vendeve qëndrojnë marrëdhënie të mira ndër shtetërore. Qëndrimet e Kroacisë ndaj Kosovës shpesh e kanë irrituar Serbinë, krerë të së cilës kanë anuluar edhe vizitat e tyre për në Kroaci. Gjithashtu, në të dyja vendet jetojnë minoritete të shteteve përkatëse. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›