"Del Ponte", deputeti i Matit, letër Rucker-it
Deputeti i zonës së Matit, Qemal Minxhozi, iu drejtua dje përmes një letre kryeadministratorit të Kosovës, Joachim Rucker. Ai i referohet librit të ish-kryeprokurores të Hagës, Carla Del Ponte, dhe pretendimeve të saj se në fshatin Gurrë është kryer transplanto i organeve nga UÇK. "Dëshiroj të përcjell pranë Jush shqetësimin dhe indinjatën e thellë që këto pretendime të Del Ponte kanë shkaktuar në komunitetin e zonës time", shkruan Minxhozi. Ai sqaron se sipas dëshmive të banorëve autoktonë, nuk është parë apo provuar asnjëherë ardhja apo prania e ushtarëve serbë, në atë periudhë, apo edhe më vonë. "Dëshiroj t‘ju vë në dijeni se ky dizinformim monstruoz ka okupuar faqet e para të mediave në Shqipëri, duke sjellë shqetësim, revoltë dhe indinjatë te banorët e Gurrës dhe të gjithë zonës që përfaqësoj", vijon Minxhozi. Ai vlerëson se një prononcim i institucionit të Rucker lidhur me çështjen, do të shërbente në mënyrë esenciale për zbardhjen e së vërtetës. Deputeti socialist falënderon gjithashtu kryeadministratorin për angazhimin e tij në Kosovë dhe mbetet në pritje të një përgjigjeje për këtë problem. Më parë është deklaruar se deputeti Minxhozi do të depozitojë edhe një padi për shpifje ndaj Carla Del Ponte sa i takon përmbajtjes së librit të saj të botuar para pak ditësh.