Gjinushi del në mbrojtje të Kushtetutës
Kreu socialdemokrat, Skënder Gjinushi, deklaron se nuk do të votojë paketën e ndryshimeve në Kushtetutë, jashtë reformës zgjedhore. Vendi, u shpreh ai, është në një situatë ku ka nevojë për një ndryshim rrënjësor të politikës, sepse këto 17 vjet nuk kanë dhënë atë çfarë kemi dëshiruar. Për Gjinushin, shkëputje nga politika e vjetër do të thotë të mos përsëritësh gabimet e së kaluarës, pra të mos luash me Kushtetutën, me themelet e shtetit, të mos luash me parimet e demokracisë. "Një nga parimet janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, sepse është njëlloj si ai ndërtuesi që bën hile, por në rast se vjedh llaç e tulla, apo ul cilësinë e ndërtimit të dritareve, gjysma e të keqes, por po bërë hile me themelet, shtëpia bie e i zë të gjithë brenda", paralelizoi Gjinushi. Kjo, nënvizoi më tutje kreu socialdemokrat, është dhe baza e krizës në vitet 1996 apo 1997 e sigurisht që protagonistët janë ende në këtë pjacë. "Sot po përjetojmë të njëjtin debat ku ndryshohet Kushtetuta brenda 24-orësh, ku luhet me të, sa as rregullorja e shkollës së lartë nuk ka qenë objekt i ndryshimeve të befasishme", u shpreh Gjinushi.