E Shtunë, 31 Tetor 2026

Librazhd, Meta shoqërohet me incidente

Takimi i djeshëm ish-kryeministrit Ilir Meta në qytetin e Librazhdit është shoqëruar me dy incidente. I pari ka të bëjë me kryekomunarin e Lunikut, 30 kilometra larg qytetit. Ai mësohet të ketë bojkotuar takimin, pasi nuk e kanë lejuar të japë opsionet e tij rreth politikës së LSI-së. Sipas kreut të Komunës së Lunikut, Astrit Xhafa, anëtar i kësaj partie, Meta ka gabuar dy herë. "Kur doli kundër PS-së në zgjedhjet e fundit dhe humbi kjo parti për faj të tij", sqaroi ai. Duke shtuar se rasti i dytë ishte ai i daljes jashtë koalicionit me PS-në. Deklaratat e kreut të LSI-së, sipas tij, janë pa vizion. "LSI ka fituar me votat e PS-së dhe koalicioni i LSI me PS është jetik", theksoi ai. Sakaq, në një takim me strukturat e LSI-së në sallën e teatrit "Skampa" në Elbasan, Meta tha se "LSI do të hyjë në zgjedhje me koalicionin e saj dhe PS me të vetët". Kreu i LSI-së nuk bëri të ditur se cilat do të jenë forcat politike me të cilat LSI do të jetë në koalicion, por nënvizoi se "bejlerët e PS-së kanë frikë të përballen drejtpërdrejt me votën e popullit, ndaj duan lista shumemërore të mbyllura".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›