E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria: S‘kemi hequr antenat e televizioneve

Përfaqësuesit e Ministrisë së Transporteve deklaruan dje se nuk është lëvizur asnjë antenë transmetimi e televizionit "Vizion Plus". Sipas tyre, kulla e prishur ishte pa leje dhe se ajo nuk ishte antenë e televizionit, por vetëm një kullë metalike. Por pavarësisht kësaj, vendimi i inspektoratit të policisë ndërtimore për të prishur kullën në zonën e malit të Dajtit ka shkaktuar reagime. Deputeti Besnik Mustafaj tha se mbrojtja e mediave është në programin e Partisë Demokratike dhe veprime të tilla nuk duhen lejuar. "PD ka lindur dhe është rikthyer në pushtet si forca më serioze e lirisë së mediave dhe veprimi është kundër politikave tona", tha Mustafaj. Sakaq, sekretari i grupit parlamentar socialist i kërkoi qeverisë dhe institucioneve të tjera si KKRT-ja, që urgjentisht të pengojnë heqjen arbitrare të antenave të "Vizion Plus" dhe televizioneve të tjera. "Dhe të mos penalizojnë pronarët e mediave, por të gjejnë zgjidhjen e duhur përmes bashkëpunimit ndërinstitucional. Ulqini iu referua urdhrit të ministrit Olldashi që këto antena duhet të hiqen për shkak se nuk janë pajisur me leje ndërtimi. Ky urdhër, konstatoi ai, krejtësisht arbitrar, është edhe një provë tjetër e arrogancës së qeverisë ndaj mediave dhe lirisë së tyre. Sekretari i grupit parlamentar socialist paraqiti disa argumente ligjore, të cilat sipas tij, dëshmojnë se kemi të bëjmë jo me një veprim për të vendosur autoritetin e ligjit, por me një veprim që synon të vendosë nën diktat mediat e lira.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›