E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimi i Kushtetutës, PS: Berisha nuk është i vendosur

Dy ditë para votimit në Kuvend të paketës së ndryshimeve në Kushtetutë, socialistët janë shfaqur të frikësuar përballë Kryeministrit Sali Berisha. Sekretari për çështjet zgjedhore, Kastriot Islami, i kërkoi kreut të mazhorancës të angazhohet seriozisht për miratimin e paketës së miratuar me shumicë në Komisionin e Ligjeve. Sipas tij, në Komisionin e Ligjeve në Kuvend u arrit përgjithësisht mazhoranca vendimmarrëse dhe konsensusi i nevojshëm. "Por nisma e negociuar në mënyrë transparente në Komisionin e Ligjeve, në fund të procesit, fatkeqësisht u çiftua me dyzimin e PD-së për çështjen e zgjedhjes së Presidentit të Republikës", konstatoi Islami. Ky dyzim, sqaroi ai, ka krijuar perceptimin dhe dyshimin se prapa këtyre mosmarrëveshje midis grupimeve të ndryshme në PD qëndrojnë hilet e politikës së vjetër që kërkojnë të hedhin në erë këtë paketë amendimesh, dhe më konkretisht e kryesisht reformën zgjedhore. "Lidhur me dyzimin e krijuar risqaroj se nenin aktual për zgjedhjen e Presidentit nga Kuvendi e paraqiti dhe e mbrojti PD, bile duke mos pranuar e refuzuar propozimin e PS për të kaluar në raundin e pestë zgjedhjen e Presidentit në popull", theksoi Islami. Ishte PD, shtoi ai, që këmbënguli në variantin e miratuar në Komisionin Kuvendor të Ligjeve, ndërkohë që një grupi tjetër i PD doli me një propozim tjetër. Islami i kërkoi Kryeministrit të shprehet qartë kundër këtij dyzimi për të hequr çdolloj dyshimi që ai vetë ndodhet prapa kësaj shfaqjeje joserioze ku PD luan me dy porta. "Dhe që në thelb do të prishte vendimmarrjen e konsensusin e arritur dhe do të hidhte në erë reformën zgjedhore", u shpreh Islami. Socialistët i bëjnë thirrje shefit të mazhorancës të artikulojë qartësisht qëndrimin e angazhimin e PD-së e të mazhorancës që drejton për të miratuar të gjithë amendimet e miratuara me konsensus në Komisionin e Ligjeve. Veçanërisht, shtoi ai, ato që lidhen me nismën e Partisë Socialiste për sistemin zgjedhor. "Kuvendi të përmbyllin brenda këtij sesioni kuvendor miratimin e të gjithë reformës zgjedhore", tha Islami. Aktualisht, Komisioni i Ligjeve ka miratuar një paketë amendamentesh kushtetuese. Në themel të kësaj pakete është nisma për ndryshimin e sistemit zgjedhor, përmes së cilës synohet konsolidimi i sistemit politik të Shqipërisë. Socialistët sigurojnë se mbeten konsekuentë në qëndrimin e tyre për këtë çështje. PS, pas një debati gati njëvjeçar për sistemin zgjedhor, paraqiti vetëm nismën për amendimin e neneve përkatëse në Kushtetutë. "Nisma e PS në respekt të gjithë procedurave, dhe konform kërkesave kushtetuese erdhi natyrshëm pas një debati transparent me ekspertët e publikun", nënvizoi Islami. Paketa e ndryshimeve të tjera kushtetuese u paraqit nga Partia Demokratike. Negociatorët e PS kërkuan ndarjen e dy nismave dhe respektimin e procedurave konform Kushtetutës dhe një proces të arsyeshëm konsultimesh e debati për nismën e PD. Me insistimin e PD për të ndërlidhur të dy nismat, PS pranoi të bëhej pjesë e shqyrtimit, duke u përqendruar në rëndësinë e thelbit të kësaj reforme politike, pra miratimin e sistemit zgjedhor dhe konsolidimin e sistemit politik. Me këtë rast PS refuzoi kategorikisht amendimin për "kundërfirmosjen e dekreteve të Presidentit". Ndërsa ofroi qëndrimin alternativ për zgjedhjen e Presidentit, ku mbi bazën e propozimit të PD, kërkohej që në raundin e pestë të kalohej në zgjedhjen e Presidentit në popull, si dhe disa ndryshime të tjera. Ato konsistonin në çështjen e mandatit të kryeprokurorit, i cili duhet të kufizohej në pesë vite. Sa i takon këtij elementi, socialistët kundërshtuan ripërcaktimin e rasteve kur kreu i akuzës mund të shkarkohet. Një propozim për të cilin u ra dakord kishte të bënte me mocionin e besimit dhe mosbesimit për Kryeministrin. Ndonëse fillimisht të ndarë në dy pjesë, me shumicën e votave, kryesia e socialistëve ra dakord t‘i mbështeste këto propozime të mazhorancës. Sakaq, u gjet konsensusi edhe për çështjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Sipas qëndrimit të selisë rozë, ky institucion nuk do të ishte më pjesë e Kushtetutës duke u rregulluar vetëm me anë të Kodit Zgjedhor. Në kuadër të reformës zgjedhore ishte Partia Socialiste ajo që propozoi vendosjen e një sistemi zgjedhor proporcional rajonal. Elementi tjetër i propozimeve ishte ai i listave të mbyllura të kandidaturave për deputetë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›