E Diel, 1 Nëntor 2026

Del nga koma vajza, fryt i incestit

Kerstin Fritzl, vajza 19-vjeçare sëmundja e të cilës në prill alarmoi autoritetet austriake në lidhje me një skandal të madh incesti, është zgjuar nga koma. Kerstin është më e madhja e shtatë fëmijëve, të lindur nga Josef Fritzl dhe Elisabet, e bija që ai e kishte mbajtur të mbyllur për 24 vjet në qilar dhe e kishte përdhunuar në mënyrë të vazhdueshme. Mjekët thonë se Kerstin duhet t‘i nënshtrohet tani një kujdesi mjekësor intensiv. Ata kanë refuzuar të bëjnë komente në lidhje me raportet se ajo është ribashkuar me nënën e saj dhe pesë fëmijët e tjerë. Ndërkohë, 73-vjeçari Josef Fritzl, vazhdon të qëndrojë në një qendër burgimi, në pritje të gjykimit. Të premten e shkuar u vendos zgjatja e masës së paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë. Veprimet e tij, dolën në dritë pasi Kerstin, u sëmur rëndë në prill. Fritzl e kishte mbajtur Elisabetën së bashku me Kerstin dhe dy fëmijët e tjerë, në një qilar nën shtëpinë e tij. Kerstin, vetëm pasi u sëmur u la të dilte nga qilari dhe u shtrua në një spital, më 19 prill, dhe pas kësaj Fritzl dhe Elisabet u morën nga policia. Më pas, Kerstin, e rënë në koma, u vendos nën kujdes intensiv, dhe vetëm dy ditë më parë ajo ka dalë nga kjo gjendje. Një zëdhënës i spitalit, në qytetin austriak të Amstettenit, tha se më shumë detaje në lidhje me kushtet e saj do të publikoheshin në vazhdim. Elisabet dhe fëmijët e tjerë të saj, vazhdojnë të jenë nën kujdesin e mjekëve në një klinikë psikiatrike. Avokati i tyre ka thënë se ata ka gjasa të marrin identitete të reja dhe mund të marrin në konsideratë edhe jetesën në një shtet tjetër. Prokurorët thanë se ata shpresojnë t‘i marrin ata në pyetje në fillim të korrikut, por kjo do të varet tërësisht nga gjendja e tyre shëndetësore. Elisabet, më herët i kishte thënë policisë se babai i saj, kishte filluar të abuzonte seksualisht me të që kur ajo ishte 11 vjeç. Në bisedat e mëparshme me avokatin e tij, Fritzl kishte pohuar se kishte përdhunuar në mënyrë të përsëritur vajzën e tij në qilar, dhe kishte thënë se e kishte bërë këtë pa qenë koshient, por i obsesionuar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›