Greqi, rrëmbehet "mbreti" i aluminit
Policia në Greqi ka nisur një operacion masiv kërkimi për një industrialist të njohur, Jorgo Milonas, që ishte rrëmbyer nga njerëz të armatosur, të hënën në mbrëmje. Janë ngritur ngado postblloqe dhe të gjitha makinat që kalojnë kufijtë veriorë të Greqisë po kontrollohen rreptësishtë, pasi Milonas u rrëmbye në shtëpinë e tij në Selanik. Motivet e rrëmbimit të biznesmenit, mbeten ende të paqarta. Ai zotëron një kompani të madhe alumini, "Alumil" dhe është president i federatës së industrialistëve për Greqinë Veriore. Tre persona e kishin shtyrë 49-vjeçarin Milonas në pjesën e pasme të makinës së tij, dhe me forcë e kishin nxjerrë që andej bashkëshorten. Policia më vonë, kishte gjetur makinën, të braktisur, disa kilometra më larg. "Një dëshmitar okular kishte parë Milonasin jashtë shtëpisë së tij, që merrej me forcë nga tre persona të armatosur me armë automatike, rreth orës 22.50", rrëfen një zyrtar i policisë. E ndërsa motivi i rrëmbimit mbetet ende i paqartë, policia antiterrorizëm i është bashkuar operacioneve të kërkimit. Sipas zyrtarëve, asnjë pistë hetimi nuk përjashtohet për momentin, ndërsa një nga të paktat të dhëna, është se rrëmbyesit, mund të jenë të huaj, pasi flisnin greqisht, por me theks të dallueshëm, të huaj. Në një telefonatë me celularin e viktimës, rrëmbyesit kishin thënë thjesht: "Është mirë". Gjatë telefonatës, në sfondin e të cilës dëgjohej zëri i industrialistit, nuk është kërkuar asnjë shumë parash, por policia ende nuk pranon të bëjë asnjë koment më tepër. Jorgo Milonas, është i martuar, ka një djalë dhe dy vajza. Ndërmarrja e tij "Alumil" është kuotuar në bursë që nga 1998-a.