E Diel, 1 Nëntor 2026

Del nga shtrati Vjosa, përmbyten qindra ha toka e dhjetra banesa

FIER-VLORE-Reshjet e rrëmbyeshme të shiut që përfshinë qarkun e Fierit vayhdojnë të mbajnë për të dytën ditë radhazi jashtë shtratit lumin Vjosë, duke shkaktuar përmbytje të tokave bujqësore në këtë zonë. Nën ujë ndodhen dhe shumë banesa pranë shtratit të lumit, ndërsa banorët kanë gjetur strehë të përkohshme në tarracat e shtëpive deri në rënien e nivelit të ujit. Uji gjithashtu ka bllokuar dhe aksin rrugor Vlorë-Selenicë. "Niveli i ujit arriti në 7.5 m, nga 5.5 m që është pika kritike duke shënuar nivelin më të lartë në 3-4 dekadat e fundit", pohoi prefekti i Fierit, Bujar Hasaj. Ai bëri të ditur se "si pasojë e daljes nga shtrati tëVjosës, paraprakisht rezulton të jenë përmbytur rreth 510 ha tokë bujqësore dhe rreth 30 shtëpi të fshatit Ferras". TVNeës24 duke ndjekur nga afër situatën mëson se dhjetëra shtëpi ndodhen të izoluara në fshatrat e Fierit nga uji. Bëhet fjalë për banesa në fshatrat Ferras, Pishporo e Cerven. Sipas Hasaj, mbrëmjen e djeshme është mbledhur shtabi i emergjencës pranë Prefekturës për të përcaktuar masat që duhet të ndërmerren deri në normalizimin e situatës. "Dje, efektivat e policisë u shpërndanë në grupe në terren për evakuimin e familjeve më të rrezikuara”, u shpreh Hasaj. Sipas tij, krahas grupeve të emergjencës në terren janë dhe grupet e verifikimit të dëmit, me qëllim përpilimin e dokumentacionit të nevojshëm, për vlerësimin dhe dëmshpërblimin e të dëmtuarve. Por, pavarësisht mbledhjeve banorët e banesave të përmbztura sot qëndrojnë sipër tarraceve të shtëpive duke pritur për ndihmë. Emergjentë paraqitet gjendja për një vajzë të sëmurë mes banorëve të banesave të përmbytura. Mësohet se familja e saj ka kërkuar një gomone për të dërguar vajzën në spital, por asgjë nuk është realizuar deri pranë mesditës. Reshjet e shiut kanë pushuar prej disa orësh, por pritet që ditën e nesërme të rinisin sërish me të njëjtin intensitet. Bllokohet qarkullimi në aksin rrugor Vlorë-Selenicë Dalja nga shtrati e ujrave të lumit Vjosë, ka shkaktuar gjithashtu bllokimin e qarkullimit në aksin rrugor Vlorë-Selenicë. Në vendin e emërtuar, “Bishti i Malit”, 25 km në lindje të Vlorës, ujrat kanë mbuluar plotësisht një segment prej rreth 1 km duke e bërë atë të pakalueshëm nga mjetet e vogla. Krahas kësaj, ujrat kanë përmbytur edhe rreth 200 hektarë tokë në këtë zonë deri në afërsi të Selenicës, e cila është e mbjellë më kultura të ndryshme bujqësore, kryesisht grurë. Kryetari i bashkisë së Selenicës, Ilia Seferi bëri të ditur se, “gjendja është e rëndë, qarkullimi është bllokuar, ndërkohë që është dëmtuar edhe një pjesë e trasesë së rrugës”. Në vend kanë mbërritur mjete të Ndërmarrjes së Ujrave, që po bëjnë përpjekje për të normalizuar situatën. Gjithashtu, ujrat e lumit Vjosë kanë mbuluar edhe stacionin e pompave të ujit të pijshëm, duke e nxjerrë atë jashtë funksioni. Për të furnizuar popullsinë me ujë të pijshëm po shfrytëzohen autobotët. Gjendja në afërsi të Selenicës, u rëndua pasditen e të dielës, kur ujrat e lumit Vjosë që kalon 4 km pranë qytetit, dolën nga shtrati si pasojë e rreshjeve të shumta të shiut në zonën e basenit ujëmbledhës, duke përmbytur qindra hektarë tokë bujqësore. (d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›