Vdes ish deputeti i PS-së, homazhet neser në Shkodër
SHKODER- Familjarë, kolegë, miq dhe të afërm të ish- deputetit të PS-së, Lekë Cukaj do të kryejnë homazhe, për nder të tij nesër në orën 11.00 në ambientet e prefekturës së qytetit të Shkodrës, ndërsa rreth orës 13.00 do të zhvillohet ceremonia mortore. Ish- deputeti i Partisë Socialiste u shua mbrëmë rreth orës 20.00 në një aksident rrugor në aksin Tiranë – Fushë-Krujë. Aksidenti tragjik ndodhi në afërsi të fshatit Nikël, pranë stabilimentit “Abaz Ulliri”. Makina e tij me targë SH 8252 E që drejtohej nga vetë Çukaj është përplasur me mjetin me targa TR 9856 R që drejtohej nga shtetasi Hasan Guçi.Në aksident gjeti vdekjen dhe drejtuesi i mjetit tjetër, Hasan Guci, ndërsa është plagosur bashkëshortja e tij.Nga hetimet paraprake te policisë- të cilat i është referuar NEWS24- ka rezultuar se ish deputeti Cukaj me makinën e tij ka tentuar të parakalojë makinën tjeter dhe në këtë moment ka ndodhur përplasja e cila ka nxjerrë makinat jashtë rruge Kush ishte Lekë Cukaj Me profesion fizikant, Lekë Çukaj u zgjodh si deputet i PS-së në zonën e Shkodrës në legjislaturat 1997-2001 dhe 2001-2005 në Kuvendin e Shqipërisë. Çukaj ka qenë edhe anëtar i Komisionit për Ekonominë, Financat dhe Privatizimin, në legjislacionin 1997-2001. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, Çukaj ishte kandidat për deputet në Shkodër për partinë PSV’91. Në 3 korrik të vitit 2005, ish- deputeti i shpëtoi mrekullisht një aksidenti. Në aksin Fier-Lushnjë, te kryqëzimin në vendin e quajtur “serat”, në lagjen Sheq i Madh”, Fier, automjeti me të cilin udhëtonte Çukaj doli nga rruga dhe u përplas me një mur betoni. Çukaj pësoi dëmtime në kokë, por që nuk i rrezikonin jetën.(s.g/BalkanWeb)