E Shtunë, 31 Tetor 2026

Delaware, më "sekret" se Zvicra

Shteti i vogël amerikan i Delaware ia ka kaluar Zvicrës për sa u përket sekreteve bankare. Ai konsiderohet si vendi me juridiksionin më të fshehtë financiar në botë. Shtetet e Bashkuara, me në krye shtetin e vogël, kanë marrë 2.6 trilionë dollarë depozita nga korporatat jo rezidenciale dhe individët në vitin 2007. Kjo shifër është pjesë e një sondazhi të bërë së fundi nga Rrjeti i Drejtësisë së Taksave. Mbikëqyrja e ligjeve, praktikave dhe përmasave të fluksit hyrës së parave në 60 juridiksione të ndryshme e rendit Delaware-n në krye të listës, pasuar nga Luksemburgu dhe më pas në vendin e tretë nga Zvicra. Ishujt Cayman dhe Mbretëria e Bashkuar zënë përkatësisht vendin e katërt dhe të pestë. "Ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë hapur çështje për sekret bankar ndaj bankave të Zvicrës, ata vetë bëjnë të njëjtën gjë për sa i takon marrjes së shumave të mëdha të parave nga persona dhe korporata jo rezidente", thuhet në sondazhin e grupit që ndodhet në Britaninë e Madhe. Zvicra është vënë për muaj me radhë me shpatulla pas murit, për shkak të ligjit të saj të sekretit bankar. Shtetet e Bashkuara hapën një çështje gjyqësore ndaj bankës zvicerane UBS, për shkak të llogarive të fshehta që shumë qytetarë amerikanë, duke iu shmangur taksave, kishin hapur në vendin e vogël alpin. Për sa i përket Delaware-s, ai është një vend tërheqës, sepse në këtë shtet nuk taksohen fitimet e krijuara jashtë shtetit dhe kompanive nuk u kërkohet prezenca fizike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›