Rivali i Karzait braktis garën zgjedhore
Sfidanti presidencial afgan, Abdullah Abdullah, ish-ministri i Jashtëm i Afganistanit që duhej të ndeshej me Presidentin aktual Karzai në raundin e dytë të votimeve të caktuara më 7 nëntor, ka vendosur të dalë nga gara. Ai akuzoi qeverinë se nuk i kishte plotësuar kërkesat e tij për organizimin e një procesi votimesh të ndershëm, çka vinte në dyshim edhe përftimin e rezultatit. Me këtë veprim të tij hidhte dyshime mbi legjitimitetin e qeverisë së ardhshme afgane në një moment kur Obama është në pritje për dërgimin e 40 mijë trupave shtesë në Afganistan. Zgjedhjet e 7 nëntorit do të vazhdojnë ndërkohë sipas parashikimeve, me emrat e të dy kandidatëve në fletët e votimit, por pa pjesëmarrjen e Abdullah. Sipas shumë analistëve, kjo është një situatë kontradiktore dhe paradoksale. Abdullah, një mjek okulist dhe ish-ministër i Jashtëm i Karzait, nuk ka pranuar mundësinë e një ndarjeje të pushtetit me rivalin e tij. Në një fjalim publik me zë të dredhur dhe me lot në sy, ai ka thënë: "Vendimi im është mospjesëmarrja, sepse kam shumë, shumë rezerva në lidhje me ligjshmërinë e procesit zgjedhor". Për Karzain, vendimi i Abdullah është zhgënjyes dhe se ai nuk do të pranojë në asnjë mënyrë një ndarje pushtetesh me kundërshtarin. Ndërsa për talebanët, tërheqja e Abdullahit nuk përbën ndonjë dallim të madh. Afganistani është përfshirë nga shumë trazira javët e fundit, trazira që kanë shkaktuar qindra të vrarë civilë e ushtarakë si pasojë e sulmeve kamikaze. Një situatë e tillë pasigurie pritet të vazhdojë edhe në të ardhmen, ndërkohë që Obama po këshillohet me gjeneralët e tij në lidhje me dërgimin e trupave shtesë në Afganistan. Për një pjesë të faktorit ndërkombëtar, zgjedhjet duhet të shtyhen dhe të riorganizohen edhe njëherë, në mënyrë që të krijohen kushte për zgjedhje të ndershme dhe për një President që të fitojë nga vota e popullit dhe jo nga manipulimet e pushtetarëve. Një qeveri e fortë afgane është kyçe për amerikanët dhe strategjinë e tyre në Afganistan. Obama, për momentin, e ka shtyrë afatin e dërgimit të trupave në Afganistan. Në fjalën e tij të djeshme, Abdullau u tha mbështetësve që të mos dilnin në rrugë në protesta. Tashmë e vetmja mënyrë për të krijuar një qeveri të qëndrueshme, sipas shumë diplomatëve, është ndarja e pushteteve mes Karzait dhe Abdullahit, por kjo perspektivë, të paktën tani për tani, konsiderohet si e pamundur nga të dyja palët.