Palestinezët: Amerikanët "po vrasin" procesin e paqes
Palestinezët kanë akuzuar dje amerikanët se po pengojnë bisedimet e paqes, duke mbështetur hebrenjtë në mostërheqjen e tyre nga vendbanimet hebrenje. Kryeministri hebre, Natanjahu, i kënaqur nga mbështetja që më në fund ka fituar nga administrata e Obamës, u ka bërë të ditur palestinezëve që të heqin dorë nga parakushti i "ngrirjes së kolonëve izraelitë" për të nisur bisedimet e paqes, që janë ndërprerë në muajin dhjetor. Gjatë një vizite 1-ditore në Lindjen e Mesme, sekretarja amerikane e Shtetit, Klinton, mbështeti vendimin e hebrenjve për mosshndërrimin e kërkesës së palestinezëve në një parakusht për fillimin e bisedimeve të rëndësishme të paqes. Natanjahu ka propozuar një kufizim të ndërtimeve hebrenje në tokat palestineze, por kjo nuk duhet që të prekë ndërtesat në Jerusalemin lindor. Presidenti Obama, pasi e nxiti Presidentin palestinez në shtator që të takohej me Kryeministrin hebre në Nju Jork, bëri thirrje vetëm për një kufizim të ndërtimeve, jo për ndërprerje të tyre të plotë. Por, për palestinezët ngrirja e ndërtimeve nuk duhet të jetë një parakusht për nisjen e bisedimeve dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë rast po mbështesnin vetëm Izraelin. Presidenti palestinez deklaroi se do të kërkonte nga Liga Arabe formulimin e një qëndrimi të unifikuar palestino-arab në lidhje me ardhmërinë e procesit të paqes. Negociatori palestinez, Saeb Erkat, tha se ky ishte një "moment kyç" dhe ngulmoi që kjo situatë nuk duhej që të bëhej shkak për ndalimin e bisedimeve të paqes. Natanjahu i tha kabinetit të tij, se i dërguari amerikan në Lindjen e Mesme, Mitchell, do të vazhdonte përpjekjet e tij për të rigjallëruar bisedimet. Për sa i përket Abazit, ai po përballet aktualisht edhe me një presion të brendshëm nga islamikët e Hamasit që kontrollojnë Rripin e Gazës. Çdo kompromis i tij me hebrenjtë do ta dëmtonte rëndë pozicionin politik të Fatahut, për më tepër tani që vendi është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen më 24 janar.