E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ndihmova në vdekjen e burrit, që të shpëtoja nga dhuna"

Në Qendrën e Këshillimit për Gra dhe Vajza në Kukës mësohet se gratë e dhunuara kanë arritur deri në veprime ekstreme, në vetëvrasje. "Në Rrethin e Kukësit, dy vitet e fundit, ka pasur pesë raste të tilla", tha drejtoresha e Qendrës për Këshillim, duke shtuar se zyrtarisht nuk njiheshin si të tilla. Në këtë qendër, qindra gra shkojnë e rrëfehen për ferrin që jetojnë. Aty dëgjova edhe këtë episod dramatik dhe kriminal: një grua ka rrëfyer se kishte ndihmuar që burri të vdiste, për të shpëtuar familjen.
Një grua tjetër nga Kukësi, nënë e tre fëmijëve, ka rrëfyer se i është dhënë tregtarit të miellit për të shpëtuar fëmijët nga uria. "Burri më rreh dhe më pas shkon e dehet në klub, duke bërë lekët rrush e kumbulla, as nuk pyet se fëmijët duan të hanë, jam ankuar në bashki dhe më kanë thënë, ik moj zonjë nuk kemi çfarë të bëjmë me gratë që janë pa burra, e halli yt...", rrëfen gruaja 34 vjeçe, duke u lutur të mos e identifikojmë.
Siç tregojnë burimet e policisë në Kukës, vetëm në rastet ekstreme gratë njoftojnë policinë. Është rasti i 30-vjeçares Lirie D. (në Shëmri), të cilën e kishte rrahur i shoqi me kondak të pushkës, një pushkë pa leje dhe vetëm atëherë ajo kishte njoftuar të vëllain e ky i fundit policinë. Mbërritja në vendngjarje e policisë mundi t‘i shpëtojë jetën gruas së re, nënë e një fëmije, e cila dhe sot ndodhet tek i ati, e traumatizuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›