E Diel, 1 Nëntor 2026

Delegacion i Bundestagut në Shqipëri, për bursat parlamentare

TIRANE.- Një delegacion i Bundestag-ut gjerman, si çdo vit do të vizitojë Shqiperinë, për të zhvilluar intervistat përzgjedhëse me kandidatët nga Shqipëria në kuadër të "Bursave Parlamentare Nderkombetare 2012".

Sipas zyrës së shtypit të Ambasadës gjermane, delegacioni i kryesuar nga nënkryetari i Bundestag-ut gjerman, zoti Eduard Osëald do të takohet të premten, me kryetaren e Parlamentit, zonjën Jozefina Topalli me rastin e përzgjedhjes së kandidatëve të përshtatshëm nga Shqipëria në kuadër të “Bursave Ndërkombëtare Parlamentare (IPS) 2012” të ofruara nga Bundestag-u gjerman.

"Bursa Ndërkombëtare Parlamentare IPS", u jep mundësinë 120 pjesëmarrësve nga 28 vende të ndryshëm të botës që nga 1 marsi deri në 31 korrik 2012 të njohin sistemin parlamentar në Gjermani në kuadër të një burse të plotë nga Bundestag-u Gjerman.

Qëllimi i programit është t’u japë mundësinë akademikëve të rinj të përjetojnë më nga afër zhvillimet politike dhe proceset demokratike të vendimmarrjes. Gjatë kësaj kohe pjesëmarrësit punojnë në zyrën e një deputeteje/deputeti të Bundestag-ut dhe njëkohësisht regjistrohen në një nga universitetet në Berlin. Në këtë mënyrë ata marrin pjesë edhe në seminare dhe leksione.

Programi zhvillohet nën kujdesin e Presidentit të Bundestag-ut gjerman në bashkëpunim me tre universitetet e Berlinit. Të gjitha shpenzimet për udhëtimin, strehimin e sigurimet si dhe ato për bursën mujore merren përsipër nga Parlamenti Gjerman. Çdo vit, duke filluar nga muaji dhjetor në Ambasadën Gjermane vihet në dispozicion dokumentacioni i aplikimit për pjesëmarrje në IPS.

Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë delegacioni do të takohet dhe zhvillojë biseda me personalitete shqiptare të politikës, ekonomisë dhe arsimit. Veç kësaj është parashikuar dhe një takim me ish/pjesëmarrës të programit për të forcuar më tej lidhjet me ta. Në shumë vende që kanë marrë pjesë në këtë program, përfshirë dhe Shqipërinë ish/pjesëmarrësit janë organizuar në shoqata duke marrë pjesë aktive në dialogje ndërkulturore dhe krijuar një rrjet midis tyre.
(s.g/atsh/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›