E Diel, 1 Nëntor 2026

Delegacioni i Departamentit Ndërkombëtar të Partisë Komuniste të Kinës viziton selinë e LSI

TIRANE- Një delegacion i Departamentit Ndërkombëtar të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, i kryesuar nga Tian Yongxiang, Drejtor i Përgjithshëm i Zyrës së Evropës dhe Azisë Qendrore, vizitoi sot selinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Delegacioni kinez u prit nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Luan Rama, Sekretari Ndërkombëtar i LSI, Ralf Gjoni dhe Sekretari Ekonomik, Majlind Lazimi. 

Z. Rama i shprehu z. Yongxiang kënaqësinë për vizitën e Delegacionit të Partisë Komuniste kineze në Shqipëri dhe veçanërisht për praninë e tyre në selinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe vlerësoi se kjo vizitë i shërben forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy partive dhe mes Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Kinës, si dy vende që gëzojnë një konstante të fortë miqësie tradicionale. 

Gjithashtu z. Rama u shpreh se populli shqiptar respekton sukseset që ka arritur populli dhe Qeveria e Kinës dhe se miqësia e thellë që shqiptarët ndjejnë për popullin kinez përbën një bazë solide për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat prioritare me interes të ndërsjellë.
Z. Yongxiang, pasi e uroi z. Rama për fitoren e LSI në zgjedhjet e 23 qershorit, u shpreh se Shqipëria është një vend i vogël me ndikim të madh në Kinë, duke evidentuar miqësinë e ngrohtë që populli kinez ka ushqyer për popullin shqiptar në vite dhe frytet e bashkëpunimit tradicional kino-shqiptar. Z. Yongxiang theksoi gjithashtu se Kina i kushton rëndësi zhvillimit ekonomik të Shqipërisë dhe shprehu vullnetin për të thelluar më tej bashkëpunimin dypalësh jo vetëm mes dy vendeve, por edhe mes Partisë Komuniste të Kinës dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke nënvizuar se PKK e sheh LSI si një partner të rëndësishëm në Shqipëri. Në këtë kuadër, z. Yongxiang rikonfirmoi ftesën e Partisë Komuniste të Kinës për një vizitë të Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, në Kinë gjatë muajve në vazhdim, e cila u pranua me kënaqësi nga pala shqiptare. 

Pas takimit, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, në një konferencë për shtyp për mediat e pranishme, shprehu keqardhjen që fushata elektorale për kryetarin e Partisë Demokratike në vend që të jetë një fushatë ballafaqimi alternativash midis dy kandidatëve në garë, është një fushatë e tyre kundër Partisë Socialiste dhe kundër Lëvizjes Socialiste për Integrim. "PD e ka humbur garën me Ilir Metën dhe me Edi Ramën. Në garë është Lulzim Basha me Sokol Olldashin apo Sokol Olldashi me Lulzim Bashën, prandaj ata duhet ta bëjnë garën me njëri-tjetrin dhe jo duke anatemuar, apo duke akuzuar apo më keq akoma duke përdorur etiketime fyese dhe banale ndaj atyre që populli shqiptar me votën e tij i bëri maxhorancë. Në të kundërt pastaj kjo dëshmon që e gjithë ajo fushatë është një butafori që nuk do të sjellë si produkt rivitalizimin e PD-së", tha Luan Rama.
(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›