E Diel, 1 Nëntor 2026

Delegacioni i Maqedonisë i ndarë për raportin e Martit

Delegacioni i Maqedonisë në kuadër të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës pritet të jetë i ndarë rreth raportit të Dick Martyt.

Ndërsa anëtarët shqiptarë të këtij delegacioni, dy deputetet Ermira Mehmeti e BDI-së dhe Flora Kadriu e DR-së pritet të shfaqin qëndrimet e tyre kundër raportit të Martit, deri tani nuk ka shpjegime se cili do të jetë qëndrimi i tre katër përfaqësuesve të tjerë të partive maqedonase të VMRO-DPMNE-së, LSDM-së dhe Partisë Liberal Demokratike (PLD). Kryetari i delegacionit të Maqedonisë, Aleksandar Nikolovski nga radhët e VMRO-DPMNE-së nuk ka shprehur qëndrime se si do të jetë qëndrimi i tyre rreth raportit të Martit.
Nga ana tjetër, deputetët e Parlamentit Shqiptar do të prezantohen me një qëndrim të përbashkët kundër projekt - Rezolutës së Dick Martit për të ashtuquajturën "çështje e trafikut të organeve të serbëve në vitin 1999.
Projektrezoluta që bazohet mbi raportin e deputetit zviceran Dick Marti, u miratua në unanimitet nga Komisioni i Çështjeve Ligjore dhe të Drejtave të Njeriut në Asamblenë Parlamentare të KiE-së në datën 16 dhjetor.
Sesioni i Asamblesë Parlamentare për vitin 2011 do të çelet në datën 25 janar. Projektrezoluta do të diskutohet dhe do të hidhet për votim duke filluar nga ora 16:00 dhe për rrëzimin e saj, deputetëve shqiptarë do t`iu duhet të propozojnë një amendament, miratimi i të cilit mund të arrihet vetëm falë mbështetjes nëpërmjet lobimit të kolegëve të tyre nga 47 vendet anëtare të Këshillit të Evropës.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›