Lunacek: Zgjedhjet u manipuluan në mënyrë të organizuar

Ende pa përfunduar zgjedhjet parlamentare, ato kanë marrë vlerësimin më negativ të mundshëm- shkruajnë agjensitë rajonale të lajmeve.
Ato janë vlerësuar si zgjedhje jo legjitime që nuk i kanë plotësuar standardet ndërkombëtare e që e dëmtojnë demokracinë e Kosovës dhe imazhin e saj. Në emër të delegacionit mbikëqyrës të Parlamentit Evropian, raportuesja Ulrike Lunacek në një intervistë për Kohën Ditore ka thënë se nga këto zgjedhje nuk mund të priten institucione të qëndrueshme dhe se parlamentarët e ardhshëm duhet ta kenë parasysh se janë zgjedhur nga një proces jo i rregullt.
Lunacek ka theksuar se manipulimi i zgjedhjeve nuk ishte spontan dhe se grupe të organizuara i manipuluan ato. Më tej, Lunacek ka folur edhe për imazhin e Kosovës pas këtyre zgjedhjeve.
"Më vjen keq ta them, por në këto dy palë zgjedhje u dëmtua rëndë imazhi i Kosovës dhe ky fakt mund të ndikojë për të keq në hapat që e presin Kosovën drejt BE-së", ka thënë Lunacek.
Parlamentarja evropiane nuk sheh jetëgjatësi të Parlamentit të ardhshëm të Kosovës. Sipas saj, parlamentarët e zgjedhur do të kenë dy zgjedhje: që ta kenë parasysh se janë zgjedhur nga një proces që nuk i ka përmbushur standardet dhe të marrë përgjegjësinë që kjo të ndryshohet, ose të jenë arrogantë dhe të kënaqur me zgjedhjen e tyre, por të përballen nga kritikat rreth legjitimitetit, kritika që vijnë këto nga mediat, shoqëria civile dhe komuniteti ndërkombëtarë. Raportuesit europianë kanë kërkuar që edhe rezultatet e nëntë janarit të rinumërohen