Kosovë, rikthehet ideja e qeverisë gjithëpërfshirëse

Partia Demokratike e Kosovës e Hashim Thaçit garanton se pas rivotimit në Mitrovicë dhe certifikimit të rezultateve zgjedhore, do të formojë qeverinë e re brenda një afati rekord. Ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës e Isa Mustafës, bën thirrje për një qeveri gjithëpërfshirëse, e cila do të përgatiste vendin për një proces të ri zgjedhor.
Marrë në përgjithësi, formimi i institucioneve të reja në Kosovë shihet si sfidë, si në kuptimin e arritjes së koalicioneve e marrëveshjeve politike, ashtu edhe nga aspekti i legjitimitetit, shkruajnë mediat kosovare . Rivotimet e 9 janarit, siç edhe është pritur nuk kanë ndryshuar shumë rezultatet e para preliminare të publikuara më 13 dhjetor.
Ndërsa shqetësimet e analistëve dhe disa partive politike rreth formimit të qeverisë së ardhshme, për PDK-në nuk qëndrojnë. Memli Krasniqi nga PDK-ja, thotë se formimi i qeverisë do të jetë brenga më e vogël për PDK-në sapo të përfundojë i gjithë procesi zgjedhor. Me gjithë optimizmin e PDK-së, ankesat e subjekteve politike kanë arritur në atë shkallë sa kontestohet legjitimiteti i gjithë procesit. Arben Gashi nga Kryesia e LDK-së, thotë se kjo qeveri gjithëpërfshirëse do t`i arrinte konsensuset e nevojshme politike në mënyrë që reformat të prekin gjithë procesin zgjedhor për t’i evidentuar dhe evituar parregullsitë për të ardhmen.
Ndërkohë, Aleanca Kosova e Re, përkatësisht Koalicioni për Kosovën e Re pozicionin e saj në raport me institucionet e ardhshme e ndërlidh me përmbylljen e procesit zgjedhor dhe publikimin e rezultateve zyrtare. Pozicionin e saj në raport me institucionet e ardhshme, përkatësisht me Qeverinë, e ka qartësuar edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila është përcaktuar për opozitë. Procesi zgjedhor nuk është përmbyllur ende, pasi tani priten edhe rivotimet në Mitrovicë dhe analistët kanë parashikuar vonesa të theksuara në formimin e qeverisë