E Diel, 1 Nëntor 2026

Delegacioni shqiptar në OKB kundërshton politikën e Rusisë dhe Amerikës

Dëgjohet zëri i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Si i akuzoi hapur SHBA-të dhe BS-në zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Reis Malile

Sot, zëvendësministri i Punëve të Jashtme i RP të Shqipërisë, kryetar i delegacionit të RP të Shqipërisë në sesionin e 31-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, shoku Reis Malile, e mori fjalën në debatin e përgjithshëm që po zhvillohet në këtë sesion. Po japim tekstin e plotë të fjalimit të tij: “Zoti kryetar. Gjatë periudhës që na ndan nga sesioni i kaluar i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në botë kanë ndodhur shumë ngjarje që dëshmojnë për ashpërsimin dhe thellimin e vazhdueshëm të kontradiktave dhe të ndeshjes midis popujve e vendeve liridashës, nga njëra anë, dhe imperializmit e reaksionit nga ana tjetër. Popujt e vendet liridashës po bëhen gjithnjë e më të ndërgjegjshëm se vetëm me luftën e tyre të vendosur mund të mbrojnë lirinë, pavarësinë e të drejtat e tyre sovrane dhe po e rrisin kundërshtimin ndaj imperializmit, hegjemonizmit, kolonializmit e neokolonializmit. Në rajone të ndryshme të botës popujt që vuajnë nga shfrytëzimi imperialist, nga shtypja koloniale e dallimi racor po luftojnë për çlirimin e tyre kombëtar e shoqëror. Është rritur vendosmëria e shteteve sovrane për të forcuar pavarësinë politike dhe ekonomike, për zhvillimin e tyre të lirë e të pavarur. Vendet në zhvillim po e thonë më me guxim fjalën e tyre për problemet e rëndësishme të kohës. Rritet e gjerohet solidariteti ndërkombëtar me popujt që luftojnë për liri, me vendet që janë viktimë e agresionit, ose që kërcënohen nga politika hegjemoniste e dy superfuqive dhe nga forcat e reaksionit. Por me gjithë fitoret e rëndësishme që kanë arritur popujt e shtetet sovrane dhe disfatat e njëpasnjëshme që kanë pësuar fuqitë imperialiste e forcat e tjera reaksionare, gjendja në botë mbetet gjithnjë shpërthyese dhe e komplikuar. Rreziqe të shumta kërcënojnë popujt, paqen dhe sigurimin e përgjithshëm. Një numër problemesh të rëndësishme ndërkombëtare nuk kanë gjetur zgjidhje. Në rajone të ndryshme ka kriza e vatra tensioni dhe konflikteve të vjetra po u shtohen të reja. Shumë popuj e vende janë akoma viktima të sundimit të huaj politik, ekonomik e ushtarak të shfrytëzimit imperialist, kolonialist e neokolonialist, të dallimit të egër racor e të ndërhyrjes brutale në punët e tyre të brendshme. Po thellohet vazhdimisht kriza ekonomiko-financiare që ka mbërthyer vendet kapitaliste dhe vendet që sundohen nga borgjezia e re revizioniste. Barrën e kësaj krize qarqet drejtuese imperialiste, borgjeze e revizioniste po e hedhin gjithnjë e më shumë jo vetëm në kurrizin e masave punonjëse të vendeve të prekura drejtpërdrejt prej saj, por edhe mbi shumë vende të tjera, sidomos mbi vendet në zhvillim. Thellimi i kësaj krize shoqërohet me ashpërsimin e pandërprerë të kontradiktave politike, ekonomike e ushtarake në shkallë ndërkombëtare dhe krijon rreziqe serioze për shpërthim luftërash agresive e konflagracionesh të mëdha. Burim kryesor i të gjitha rreziqeve që kanosin popujt, i tensionit e i pasigurisë që ekzistojnë në botë, është politika agresive hegjemoniste që ndjekin imperialistët amerikanë dhe social-imperialistët sovjetikë. Zhvillimi i ngjarjeve, gjendja e komplikuar në Europë e në Lindjen e Mesme, tragjedia e Libanit, krimet që bëhen kundër popullit palestinez, gjendja e acarimit në Qipro dhe ngritja e tensionit në Mesdhe, konfliktet e grindjet në Afrikë e në zona të tjera të botës tregojnë se dy superfuqitë imperialiste po i intensifikojnë pa pushim rivalitetin e pazarllëqet e kombinacionet për të sunduar botën, për të ruajtur e zgjeruar zonat e tyre të influencës, për të vënë në kontrollin e tutelën e tyre shtetet sovrane. Politikën e tyre të luftës e të agresionit, metodat e dhunës e të shantazhit SHBA e BS përpiqen t’i maskojnë duke bërë zhurmë e demagogji mbi uljen e tensionit, mbi dëshirat e përpjekjet e tyre për të kontribuar në zgjidhjen e problemeve botërore, në vendosjen e paqes e të sigurimit të përgjithshëm. Të dy superfuqitë flasin shumë për çarmatimin, për pakësimin e forcave ushtarake, trumbetojnë me të madhe farsën e bisedimeve të Vjenës e lloj-lloj instrumentesh të tjera për konferenca e thirrje ndërkombëtare kushtuar këtyre problemeve dhe në të njëjtën kohë vazhdojnë me ngulm garën e shfrenuar të armatimeve, rrisin arsenalet e luftës, përsosin të gjitha llojet e armëve, i fryjnë tej çdo mase buxhetet ushtarake dhe po e mbulojnë gjithë globin me flotat ushtarake detare e ajrore, me bazat ushtarake e ushtritë e tyre. SHBA dhe BS janë bërë tregtarët më të mëdhenj të armëve që ka njohur historia. Ata shesin sasi kolosale armësh, për të thithur edhe me këtë rrugë gjakun e popujve, për t’i nxitur vendet e tjera që të luftojnë kundër njëri-tjetrit dhe nga ana tjetër prodhojnë pa pushim për vete armë të reja e moderne, për të ruajtur epërsinë e tyre në fushën e armatimit, për të vënë në jetë politikën e tyre agresive, hegjemoniste. Nuk ka kontinent e rajon të botës, nuk ka konflikte e trazira në të cilat të mos jetë dora e dy superfuqive imperialiste, nuk ka asnjë problem të rëndësishëm ndërkombëtar në të cilin ato të mos përpiqen të luajnë rolin e arbitrit dhe të diktojnë vullnetin e tyre. Rezultateve të konferencës mbi të ashtuquajturën sigurim europian, me gjithë ngurrimet dhe skepticizmin e shumë shteteve pjesëmarrëse në të, u janë kushtuar plot fraza të bukura. Ato u konsideruan si fillimi i një epoke të re paqësore në Europë etj. Jeta vërtetoi se përvjetori i parë i kësaj konference u mbyll pa lavdi. Ashtu sikundër pritej, çka u vulos në këtë konferencë mbeti vetëm në letër. Asgjë nuk është vënë në jetë dhe as nuk ka për t’u zbatuar, sepse gjithçka u thur jashtë realitetit europian. Në Europë, pas Helsinkit, nuk janë pakësuar, por janë shtuar rreziqet për pavarësinë kombëtare dhe sigurimin e popujve europianë. Pasiguria është bërë akoma më e madhe. Kanë mbetur të paprekura bazat ushtarake të dy superfuqive, blloqet ushtarake agresive të NATOS-s dhe Traktatit të Varshavës dhe, nën pretendimin e mbrojtjes nga njëri-tjetri e të ruajtjes së ekuilibrit, SHBA dhe BS i kanë shtuar përpjekjet për të siguruar baza të reja, për të forcuar blloqet e tyre agresive, duke u munduar njëkohësisht të angazhojnë në to shtete të tjera. Manovrat ushtarake të NATO-s e të Traktatit të Varshavës janë bërë më të shpeshta dhe më kërcënuese. Manovrat ushtarake të fuqive imperialiste kanë qenë gjithmonë dhe janë preludi i agresioneve. Është thjesht iluzion, bile me pasoja të rrezikshme, të mendosh e të besosh se mjafton të zbatohen vendimet e Helsinkit mbi njoftimin paraprak të këtyre manovrave dhe dërgimeve e vëzhguesve herë nga njëra e herë nga tjetra palë që të ulet rrezikshmëria e tyre dhe të shmanget mundësia e luftës dhe e agresionit. Është e tepërt të zgjatemi mbi të vërtetën e pamohueshme se hurma demagogjike e përhapur nga dy superfuqitë rreth konferencës së sigurimit europian nuk është tjetër veçse një përpjekje për të mashtruar popujt europianë, për të topitur vigjilencën e tyre dhe për t’i krijuar vetes mundësi më të mëdha që të bëjnë ligjin në Europë. Akoma pa u tharë mirë boja e dokumenteve të nënshkruara në Helsinki, dy superfuqitë i shpallën përsëri hapur doktrinat e tyre reaksionare për ndarjen e Europës në zona influence.

Në numrin e së mërkurës do të lexoni:

Cili është qëndrimi i Republikës Popullore të Shqipërisë lidhur me çështjen e sigurimit europian

Kush janë shtetet europiane që kanë përfituar nga situata që kanë krijuar dy superfuqitë, BS dhe SHBA

Kërkesa e Shqipërisë që Republika Federative Gjermane t’i paguajë dëmshpërblimin e luftës

Për më shumë na ndiqni në numrin e radhës

Shkrimi është botuar në gazetën “Zëri i popullit” më datë 5 tetor 1976
Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi

9 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›