E Diel, 1 Nëntor 2026

Organizimi i strukturave administrative e mjekësore



Të gjithë personat që shprehin dëshirën e tyre me vullnet të lirë për dhurimin e organeve pas vdekjes, regjistrohen në regjistrin e dhuruesve. Regjistri mbahet në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë. Dhuruesit pajisen me kartën e dhuruesit, ku shënohet emri e mbiemri, datëlindja dhe numri i regjistrimit. Ministri i Shëndetësisë dhe Ambientit krijon me urdhër të veçantë Komisionin Kombëtar të Transplanteve me qendër në QSUT, i cili ka përgjegjësinë e zbatimit të këtij ligji dhe të akteve nënligjore që rrjedhin prej tij. Komisioni Kombëtar i Transplanteve përcakton mënyrën e krijimit dhe funksionimit të bankës së të dhënave, ku pasqyrohen kërkesat për organe. Me sigurimin e një organi caktohet personi që e përfiton mbi bazën e këtyre kritereve:përshtatshmëria imunobiologjike e organit të dhuruar me marrësin; urgjenca mjekësore për marrësin; rrethanat që lidhen me mundësinë e ruajtjes së organit deri në momentin e mbërritjes te marrësi; radha në listën e pritjes, në rast se faktorët e tjerë nuk janë vendimtare. Komisioni përcakton edhe institucionet ku do të krijohen bankat e organeve, të cilat ruajnë organet e dhuruara deri në kohën e implantimit të tyre. Ministria e Shëndetësisë dhe Ambientit licenson institucione shëndetësore publike e private për kryerjen e veprimtarive të parashikuara në këtë ligj. Licencimi i institucioneve private që kërkojnë të realizojnë koordinimin e transplanteve, bëhet vetëm kur kryejnë veprimtari jofitimprurëse. Këshilli i Ministrave miraton bashkëpunimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ambientit dhe institucioneve në varësi të saj me institucione të vendeve të tjera që kryejnë veprimtari të parashikuara në këtë ligj. Ministria e Shëndetësisë dhe Ambientit miraton rregulloret e nevojshme për zbatimin e këtij ligji, të cilat janë të detyrueshme për të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private.

9 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›