Rastet kur lejohet dhurimi i transplantet e organeve
Emanuela Sako
Tranplantet e organeve dhe dhurimi i tyre mbështet në disa rregulla të përcaktuara që mjekësia ka si detyrw t’i zbatojë. Në bazë të ligjit për transplantimin e organeve, lejohet që ky proces të kryhen vetëm për nevoja mjekësore, kur trupi i njeriut e ka të domosdoshme ndërhyrjen kirurgjikale, pasi rrezikohet me humbjen e jetës. Kështu, ligji parashikon se heqja dhe implantimi i transplanteve kryhet vetëm për nevoja mjekësore dhe kur vlerësohet se kjo është e domosdoshme për të siguruar jetën dhe shëndetin e marrësit të transplantit. Ndalohet shitblerja e transplanteve, si dhe çdo lloj veprimtarie që favorizon reklamimin, tregtimin dhe trafikimin e paligjshëm të transplanteve. Këto veprimtari dënohen sipas dispozitave të Kodit Penal. Në vendin tonë problemi i tranplanteve është një çështje ende e pazgjidhur, pasi në spitalet tona shtetërore tranplantet nuk janë kryer ende. Klinika turke, është e para që ka realizuar pak muaj më parë transplantin e veshkave, ku dhurues kanë qenë prindërit. Ndërsa transplanti i zemrës dhe i indeve, janë ende të pazbatueshme në asnjë klinikë private apo shtetërore. Të gjithë pacientët që kanë rezultuar me probleme në zemër, veshka etj, dhe që kanë të domosdoshme zëvendësimin e organeve, janë detyruar të kurohen në klinika të e huaja, kur iu është mundësuar gjetja e organit që duhet të zëvendësojnë. Gjetja e dhuruesit është e vështirë, pasi përveç gjetjes së personit që dhuron, duhet të jetë dhe përputhshmëria e organeve. Dhurues mund të jetë edhe një person i vdekur. Kështu, heqja e organeve pas vdekjes bëhet pasi të jetë provuar vdekja cerebrale e dhuruesit, në përputhje me kriteret mjekësore të përcaktuara në rregulloren përkatëse. Gjithçka, vendoset nga një komision mjekësor dhe me lejen e të afërmve të personit. Dhurues nuk mund të jetë një person nën 18 vjeç, për arsye të funksionimit të organizmit të tij dhe të vendimmarrjes.
Dhurimi
Heqja e transplanteve bëhet vetëm kur sigurohet vazhdimi i jetës dhe mosdëmtimi i rëndë i shëndetit të dhuruesit. Nuk mund të kryhet dhurimi tërësor për organe unike ose organe që shkaktojnë dëmtime të pakthyeshme të shëndetit të dhuruesit. Dhuruesi i transplanteve mund të jetë vetëm personi mbi 18 vjeç, i cili ka zotësi të plotë për të vepruar. Dhurimi bëhet me vullnet të lire, pasi vetëm ai mund të vendosë nëse do të bëhet dhurues i organeve të tij ose jo. Heqja e transplanteve në dhurues të gjallë bëhet gjithmonë pasi të jetë marrë miratimi me shkrim i tyre. Miratimi jepet pasi dhuruesi është informuar plotësisht për rreziqet dhe pasojat e veprimit të tij nga mjekët që do të kryejnë ndërhyrjen. Ndërsa miratimi jepet në prani të noterit. Miratimi duhet të përmbajë emrin, moshën dhe nënshkrimin e dhuruesit dhe, sipas rastit, të personit që lejon dhurimin. Në dokumentin e miratimit do të pasqyrohet personi që përfiton transplantin dhe institucioni shëndetësor ku do të kryhet heqja e tij. Dhurimi bëhet në favor të një personi të caktuar, me të cilin dhuruesi ka lidhje të afërt gjinie si prindër, fëmijë, vëllezër e motra.
Transplanti i dhuruar nga persona me lidhje gjinie më të largët ose me lidhje e motive pranohet vetëm në rastet kur: nuk ka dhurues të gjinisë së afërt, janë të papajtueshëm nga pikëpamja imunobiologjike apo kur nuk pranojnë të dhurojnë transplant.
Miratimi për kryerjen e transplantit quhet i efektshëm 24 orë pas lëshimit. Miratimi për dhurimin e transplanteve mund të revkohet në çdo kohë nëse dhuruesi nuk dëshiron të japë një nga organet e tij. Revokimi bëhet me një dokument noterial, ku pasqyrohet emri, mosha dhe nënshkrimi i personit që heq dorë nga dhurimi.
Mosha
Dhuruesit e mitur nën moshën 18 vjeç mund të dhurojnë vetëm inde e qeliza të rigjenerueshme, vetëm në rastet kur dhurimi bëhet në favor të vëllait ose motrës së mitur, që është në rrezik jete dhe nuk ka asnjë mundësi tjetër trajtimi. Për dhuruesit e mitur në çdo rast kërkohet miratimi me shkrim i të dy prindërve ose personit që ushtron autoritetin prindëror. Për dhuruesit e mitur të moshës 12-18 vjeç kërkohet edhe miratimi i tyre. Për dhuruesit e moshës nën 12 vjeç kërkohet edhe miratimi i gjykatës. Njëkohësisht, dhuruesi që nuk ka zotësi të plotë për të vepruar mund të dhurojë vetëm inde e qeliza të rigjenerueshme në favor të një pjesëtari të afërt të familjes. Miratimi për dhurimin jepet nga kujdestari ligjor. Heqja e transplanteve në dhurues të gjallë bëhet nga mjeku specialist në institucione të specializuara dhe të licencuara për këtë lloj veprimtarie. Mjeku duhet të sigurohet që dhuruesi i ka kuptuar rreziqet dhe pasojat e dhurimit dhe se ka dhënë miratimin e tij me vullnet të lirë. Dokumentacioni që provon dhënien e miratimit është pjesë e kartelës së dhuruesit.
Miratimi
Heqja e organeve pas vdekjes bëhet pasi të jetë provuar vdekja cerebrale e dhuruesit, në përputhje me kriteret mjekësore të përcaktuara në rregulloren përkatëse. Vdekja dëshmohet nga një komision i posaçëm prej tre mjekësh. Vendimi i mjekëve është i pavarur dhe pasqyrohet në dëshminë e vdekjes të nënshkruar prej tyre. Anëtarët e komisionit nuk duhet të kenë asnjë lidhje me procesin e heqjes ose implantimit të organeve. Në rast se personi ka shprehur me shkrim dëshirën që organet e tij të dhurohen pas vdekjes, organet e tij mund t’u implatohen të sëmurëve që janë në listën e pritjes. Në mungesë të një miratimi paraprak të vetë personit, lejen për heqjen dhe implantimin e organeve e jep personi që është më i afërt në gjini. Lejen për dhurimin e organeve mund ta kryejë bashkëshorti, fëmijët madhorë, prindërit,
motrat dhe vëllezër madhorë. Për të miturit kërkohet miratimi i të dy prindërve ose i kujdestarit ligjor. Mjeku ligjor që konstaton shkaqet dhe mënyrën e vdekjes së personave të paidentifikuar, ose kur personat me lidhje të afërt gjinore nuk mund të kontaktohen, mund të autorizojë heqjen dhe implatimin e organeve. Në rast se personi i vdekur është shprehur me shkrim kundër heqjes së organeve të tij pas vdekjes, leja e dhënë nga personat që mund të autorizohen janë pavlefshme. Personeli mjekësor në institucionin shëndetësor, ku është konstatuar vdekja dhe pritet lejimi ose moslejimi i heqjes së organeve, duhet të marrë të gjitha masat e nevojshme mjekësore për ruajtjen e trupit në gjendjen që lejon heqjen eventuale të organeve. Personeli mjekësor në institucionet shëndetësore të autorizuara për heqjen dhe implatimin e organeve duhet të kenë një rregullore tip, në të cilën të përcaktohen, metodat dhe kriteret për diagnostikimin e vdekjes, procedurën për konsultimin e regjistrit të dhuruesve dhe
procedurën për konsultimin dhe marrjen e lejes nga të afërmit.
Personeli mjekësor ruan në çdo rast sekretin e identitetit të dhuruesit dhe marrësit të transplantit.
9 Prill 2008