E Diel, 1 Nëntor 2026

Gazmend Dibra: Drejtorët e burgjeve në “gatishmëri”, tani 16 orë në punë



Laureta Rryçi

Tiranë - Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra mbledhje me të gjithë drejtorët për sigurinë në burgje. Burime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve pohuan dje për gazetën “Albania” se për dy orë me radhe drejtuesit e burgjeve kanë raportuar mbi gjendjen nëpër burgje dhe problemet më të rëndësishme që ata kanë. Më pas eprori i tyre iu ka dhënë porosi konkrete duke iu dyfishuar përgjegjësitë. Gjithçka ka ndodhur pas ngjarjes së katër ditëve më parë në Burgun e Burrelit ku u arratisen për 30 minuta dy të dënuar me burgim të përjetshëm. Të njëjtat burime shpjeguan se Kreu i Burgjeve, Gaz Dibra iu ka kërkuar vartësve të tij të kenë kujdes me sigurinë e burgjeve.
Mbledhje
Arratisja për 30 minuta të dy të dënuarve të Burgut të Burrelit po iu kushton shtrenjtë edhe drejtorëve të burgjeve të tjera të vendit. Të thirrur për një mbledhje të posaçme për sigurinë në burgje, secili prej tyre ka raportuar mbi situatën e burgut që i është besuar të drejtojë. Burime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve treguan se të gjithë drejtorët kanë ngritur si problem për burgjet që drejtojnë mbipopullimin. Rekordin për këtë e mban burgu i Peqinit ku mendohet se ka rreth 300 të dënuar më shumë se ç’duhet. Ndërkohë që ata kanë shpjeguar masat që kanë marrë në kuadrin e ruajtjes së sigurisë. Për drejtorin e Përgjithshëm në mbledhjen e djeshme nuk ka pasur ndryshime për nivelet e burgjeve. Dibra iu ka kërkuar të gjithë drejtorëve që nga tetë orë që e kishin si detyrim për të qëndruar në burg që nga dita e sotme ata duhet të qëndrojnë 16 orë. Po kështu numri i kontrolleve duhet shtuar duke mos u neglizhuar as informacioni më i vogël që do serviret për sigurinë nëpër burgje. Po kështu oficeri i rojës do të raportojë më shpesh se çka raportuar deri më dje.
Arratisja
Pas ngjarjes së Burrelit, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve po realizon të gjitha analizat për të shmangur situata të ngjashme. Fillimisht ai ka inspektuar Burgun e Burrelit ku ka realizuar një takim dhe me të dënuarit për t’u njohur me problemet e tyre ndërsa një ditë më pas ka dhënë urdhra konkrete për të gjithë drejtorët e burgjeve në të gjithë vendin. Ndërkohë që Dibra mësohet se është shprehur se për fajësinë mbi ngjarjen në Burgun e Burrelit do ta përcaktojë prokuroria. Në vendin tonë ka tre burgje të sigurisë së Lartë, në Burrel, Peqin dhe Tepelenë. Ndërsa burgjet në Kosovë të Lushnjës, Rrogozhinë, Lezhë, dhe dy burgjet në Tiranë janë të sigurive të ndryshme.

Zyrtarët e arrestuar për arratisjen

Ervin Heta
34 vjeç, me detyrë polic i regjimit të brendshëm në Burgun e Burrelit

Ardian Ruka
38 vjeç, me detyrë polic shërbimi i regjimit të brendshëm

Fiqiri Ceni
52 vjeç, me detyrë polic shërbimi në vendroje në Burgun e Burrelit

Fatmir Domi
48 vjeç, me detyrë polic shërbimi në vendroje në Burgun e Burrelit

Eduard Brahilika
me detyrë drejtor i Burgut Burrel

Thanas Runeci
me detyrë shef i Policisë i Burgut Burrel

Luan Hysa
me detyrë shef i regjimit të brendshëm në Burgun e Burrelit

Kadri Domi
me detyrë shef i regjimit të jashtëm në Burgun e Burrrelit

Kujtim Laçi
me detyrë përgjegjës informacioni në Burgun e Burrelit

Hetimi

"Shkelje të rregullave të sigurisë dhe neglizhencë në kryerjen e detyrës". Janë këto disa nga konstatimet e grupit hetimor që po punon për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve në lidhje me arratisjen e dy të dënuarve me burgim të përjetshëm nga Burgu i sigurisë së lartë në Burrel, të cilët u arrestuan nga policia 30 minuta më pas. Kështu u tha dy ditë më parë në një njoftim për shtyp të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Sipas policisë, pas hetimeve komplekse në lidhje me këtë ngjarje, grupi hetimor konkludoi me arrestimin e nëntë funksionarëve të këtij burgu, mes tyre edhe drejtuesin e tij. Forcat e policisë së Matit arrestuan shtetasit Eduart Brahilika, me detyrë drejtor i Burgut të Burrelit, Thanas Runeci, me detyrë shef i Policisë së këtij burgu, Luan Hysa, me detyrë shef i regjimit të brendshëm, Kadri Domi, me detyrë shef i regjimit të jashtëm si dhe Kujtim Laçi, përgjegjës informacionit, Ervin Heta, me detyrë polic i regjimit të brendshëm, Ardian Ruka, me detyrë polic i regjimit të brendshëm dhe Fiqiri Ceni, me detyrë polic shërbimi në vendroje në Burgun e Burrelit. Sipas policisë, nëntë personat e mësipërm janë arrestuar me akuzën e "shpërdorimit të detyrës", pasi në veprimet apo mosveprimet e tyre janë konstatuar shumë shkelje rregullash apo neglizhencë në kryerjen e detyrës.

9 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›