Qarkullimi, në tre muaj mbi 250 aksidente me 70 viktima
TIRANE - Të paktën 254 aksidente, me 70 viktima dhe 257 persona të plagosur, janë regjistruar në këto tre muaj të parë të vitit në shkallë vendi. Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në tremujorin e parë të 2008 në shkallë vendi janë regjistruar 254 aksidente rrugore me 70 viktima dhe 257 persona të plagosur, nga 280 aksidente me 84 persona të vdekur dhe 291 të plagosur, që u regjistruan në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Forcimi i masave të policisë rrugore ka sjellë reduktimin e numrit të aksidenteve në shkallë vendi për tremujorin e parë të vitit 2008. Sipas drejtuesve të policisë rrugore në këto 3 muaj janë shënuar 26 aksidente rrugore me 14 viktima me pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Po sipas tyre strukturat e policisë rrugore po operojnë së bashku me shërbimet e policisë së rendit në kuadër të zbatimit të planeve të përbashkëta të hartuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë dhe parandalimin e ngjarjeve aksidentale dhe pasojave të tyre. Nga tw dhwnat duket qartw numri në rënie i aksidenteve në rrugën nacionale Tiranë -Shkodër, i cili vitin e kaluar cilësohej si aksi më problematik në këtë drejtim. Policia ka marrw masa lidhur me fluksin e emigrantëve që pritet të mbërrijnë në Shqipëri për festën e Pashkëve. Sipas burimeve mendohet të ngrihen disa grupe “Task Forcë” për monitorimin e rrugëve nacionale, të tilla si Tiranë - Korçë, Tiranë- Vlorë dhe Gjirokastër. Në krye të këtyre grupeve do të jenë specialistë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Durrës, tremujori në 37 aksidente, 7 viktima
Rreth 37 aksidente rrugore me pasojë 7 viktima dhe 39 të plagosur kanë ndodhur në tre muajt e parë të këtij viti në akset e qarkut të Durrësit. Burime zyrtare nga drejtoria e policisë së qarkut bënë të ditur të martën për gazetën se numri i aksidenteve rrugore dhe ai i viktimave është ulur nga muaji në muaj, si rrjedhojë e masave të rrepta që janë marrë nga forcat e seksionit të qarkullimit rrugor në komisariatet e Durrësit, Krujës dhe Shijakut. Sipas të njëjtit burim, në janar u shënuan 15 aksidente rrugore, me pasojë 4 të vdekur e 16 të plagosur, në muajin shkurt 12 aksidente me pasojë 2 të vdekur e 12 të plagosur dhe në muajin mars 10 aksidente me një viktimë dhe 11 të plagosur. Çdo muaj, mesatarisht policia rrugore ka vendosur mbi 6500 masa administrative me vlerë mbi 5 milionë lekë, ndërsa ka pezulluar afro 700 leje drejtimi si dhe ka bllokuar rreth 200 automjete. Sipas statistikave, gjatë vitit të kaluar në rrugët e qarkut të Durrësit u shënuan 113 aksidente rrugore, me pasojë 20 viktima dhe 51 të plagosur.
9 Prill 2008