Delegacioni takime me Topin,Topallin e Berishën

Delegacioni i Parlamentit Europian ka vlerësuar pozitivisht zbatimin e udhërrëfyesit për liberalizimin e regjimit të vizave nga qeveria shqiptare. Ky mesazh është përcjellë nga eurodeputetët gjatë takimeve me krerët më të lartë të shtetit shqiptar.
Gjatë takimit me kreun e shtetit Bamir Topi, kryetari i delegacionit europarlamentar për Evropën Juglindore, Eduard Kukan siguroi se do të përpiqet që shqiptarët të lëvizin të lirë para fillimit të pushimeve verore. Ndërkohë që nga ana e tij Presidenti Topi theksoi faktin se liberalizimi i vizave për Shqipërinë me BE-në do të ishte një hap pozitiv që do të afronte më tepër shqiptarët me familjen e madhe evropiane.
Gjate takimit kreu i shtetit Topi është ndalur edhe tek situata politike në vend, dhe sipas presidentit zgjidhja institucionale e saj do të t'u shërbente interesave madhore të qytetarëve shqiptarë për një të ardhme integruese në BE.
Mbështetje për liberalizimin e vizave delgacioni i eurodeputetëve ka dhënë edhe gjatë takimit me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Kryetarja e kuvendit gjatë këtij takimit sqaroi situatën politike në vend, por edhe vendimin e fundit për ngritjen e komisionit për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.
çështja e heqjes se vizave për qytetarët shqiptarë ka qenë pjesë edhe e takimit mes kryeministrit Sali Berisha dhe delegacionit të Parlamentit Europian. Gjatë këtij takimi kryeministri Sali Berisha u ka prezantuar eurodeputetëve perpjekjet e qeverisë për plotësimin e kërkesave të udhërrefyesit për liberalizimin e regjimit të vizave si dhe ka theksuar rëndësinë që ka për qytetarët shqiptarë lëvizja e lirë në BE.