E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama deputetëve: Zbrisni në bazë!

22/03/2010 PS mbledh grupin parlamentar pas rrëzimit të nismave ligjore për transparencë

Nisin kontaktet me bazën e majtë për rinisjen e protestave qytetare

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste analizoi dje situatën politike në vend, pas zhvillimeve më të fundit në Kuvend mbi nismat ligjore të propozuara prej tij. Kështu, në një mbledhje të posaçme ligjvënësit e majtë diskutuan pikërisht mbi një çështje të tillë, duke dhënë njëkohësisht dhe sinjale të qarta lidhur me hapat e mëtejshëm që do të ndjekë ky kamp. Njëkohësisht pritet që në javën e ardhshme të thirret Asambleja Kombëtare e PS-së për të vendosur mbi rinisjen e protestave qytetare si dhe për marrëdhënien mes grupit kuvendor socialist dhe parlamentit. Pas dhënies së verdiktit nga ana e këtij forumi do t’u mbetet sërish deputetëve të majtë për të formalizuar vendimin politik sa i takon zhvillimit të oponencës brenda institucionit të legjislativit apo jashtë tij. Ndërkohë mësohet se vetë Rama u ka kërkuar deputetëve të PS-së që të zbresin në bazë për të sqaruar nga afër elektoratin dhe mbështetësit e majtë sa i takon situatës aktuale dhe zhvillimeve në të ardhmen.

Takimi

Ligjvënësit socialistë diskutuan gjatë mbledhjes së thirrur dje lidhur me situatën e krijuar në sfondin politik pas refuzimit që shumica parlamentare u bëri dy propozimeve të këtij grupi mbi transparencën e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Burime pranë këtij takimi bënë me dije se gjatë takimit kryetari i PS-së, Edi Rama, ka lënë si detyrë për të gjithë deputetët e kësaj partie që të nisin kontaktet e drejtpërdrejta me bazën socialiste, si për të sqaruar ecurinë e të gjitha përpjekjeve të së majtës për realizimin e një transparence të plotë të procesit zgjedhor, ashtu dhe për t’u bërë me dije mbi hapat që do të ndiqen në vijim. Kjo me qëllim parapërgatitjen e terrenit për rinisjen e protestave qytetare, të cilat kësaj radhe, sikundër është paralajmëruar, nuk do të ndalen deri në largimin e qeverisë “Berisha”. Po kështu, mësohet se gjatë mbledhjes deputetët socialistë kanë kërkuar që për të gjitha zhvillimet e deritanishme, por dhe për pozicionin e mëtejshëm të PS-së përkundrejt Kuvendit dhe institucioneve të dala nga zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, të vihet në dijeni dhe faktori ndërkombëtar. Madje, në këtë pikë është parë si e rëndësishme vënia e theksit te shkelja e procedurave që u vu re në Parlament kur u diskutuan nismat e PS-së. Në këtë kontekst, socialistët gjykojnë se për sa kohë grupi kuvendor i PS-së tërhoqi nga Kuvendi propozimet e saj, mbetet e pavend dhe në shkelje të rregullores së Kuvendit miratimi dhe ngritja e komisionit hetimor parlamentare për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Kjo pasi ky projektvendim ishte po propozim i PS-së, i cili u tërhoq nga legjislativi.

Protestat

Javën që vjen pritet që socialistët të mbledhin forumin më të lartë vendimmarrës mes dy kongreseve të PS-së: Asamblenë Kombëtare. Burime pranë selisë rozë bënë me dije se ky takim do të mblidhet për t’u përqendruar në dy çështje kyçe: së pari, në organizimin e manifestimeve në të gjithë vendin dhe në qëndrimin që grupi parlamentar do të mbajë përballë Kuvendit. Pra, nëse do të vijë të qëndrojë në këtë institucion apo do të rimarrë bojkotin ndaj tij. Megjithatë, tashmë në të gjitha daljet publike të tyre socialistët së bashku me kryetarin e tyre kanë bërë të qartë se nuk do të ketë kthim pas deri në realizimin e kërkesave të tyre për transparencë të zgjedhjeve. Në të kundërt do të kërkohet largimi i qeverisë “Berisha”.

Apeli

“I bëjmë apel miqve e partnerëve ndërkombëtarë për të marrë në konsideratë faktin shumë shqetësues se zgjidhja që u dha prej pushtetit të premten në darkë jo vetëm nuk e zgjidh, por e thellon krizën dhe bie ndesh thellësisht me përpjekjen e tyre për një zgjidhje kompromisi bazuar mbi Kushtetutën dhe transparencën. Qëndrimi ynë është i qartë: asnjë hap mbrapa në përpjekjen për të shpëtuar zgjedhjet e ardhshme dhe demokracinë në Shqipëri.”

Vendimi

“Grupi parlamentar i PS-së deklaron se i ashtuquajturi ‘komision hetimor’ i ngritur nga pushteti jo vetëm deformon në mënyrë thelbësore demokracinë parlamentare dhe shtetin ligjor si parime themelore kushtetuese, por ngjan si dy pika uji me komisionin e votimit në Ruzhdie. Nga një komision i tillë s’mund të presësh asgjë më të mirë sesa ç’doli nga komisioni i Ruzhdies, një veprimtari e paligjshme me synim nëpërkëmbjen e vullnetit opozitar dhe të së vërtetës.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›