E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Liberalizimi do të kishte kuptim para pushimeve”

22/03/2010 Eurodeputetët mbërrijnë në Tiranë për liberalizimin e vizave

Sot takimet me Presidentin Topi dhe kryeministrin Berisha

Parlamenti Europian do të monitorojë nga afër procesin e përgatitjes së Shqipërisë në funksion të liberalizimit të vizave. Një grup eurodeputetësh, i drejtuar nga shefi i Delegacionit për Ballkanin Eduard Kukan, ka mbërritur dje në Tiranë dhe parashikohet që sot të takohet me krerët e shtetit, Presidentin e Republikës Bamir Topi dhe kryeministrin Sali Berisha. Shefi i delegacionit para mbërritjes në Shqipëri është shprehur se koha është shumë e rëndësishme, ndaj po zhvillon këtë vizitë të shpejtë. Sipas tij, heqja e vizave do të kishte kuptim nëse do të realizohej përpara pushimeve të verës. Gjithashtu ai është shprehur se fluksi i azilkërkuesve maqedonas e serbë në Europë ka ndikuar në procesin e liberalizimit të vizave me Shqipërinë. Pjesë e delegacionit të PE-së është edhe eurodeputetja sllovene Tanja Fajon, e cila njihet si një nga mbështetëset kryesore të liberalizimit të vizave për vendin tonë dhe Bosnjën. Në përbërje të delegacionit do të jenë edhe eurodeputetët Jelko Kacin, Simon Busutil nga Malta dhe holandezja Marije Kornalisen. Gjatë qëndrimin në Tiranë delegacioni do të vizitojë zyrat kryesore përgjegjëse për përmbushjen e kritereve të kërkuara nga BE-ja. Parashikohet që delegacioni të shohë nga afër procesin e prodhimit të pasaportave biometrike, të cilat janë vlerësuar të një cilësie të lartë sigurie.

Vendimmarrja

Grupi i ekspertëve të Bashkimit Europian, të cilat kanë vizituar Shqipërinë dhe nga parë nga afër përgatitjet për liberalizimin e vizave, do të përgatisë propozimin konkret drejtuar institucioneve përgjegjëse të BE-së. Në mesin e muajit të ardhshëm në Bruksel propozimi do t’i paraqitet Këshillit të Ministrave të BE-së dhe Parlamentit Europian, që do të marrin vendimin në përputhje me vlerësimet e dhëna.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›