Delegatët e Shkodrës për Kongresin, procesi i votimit nul
SHKODER Procesi i votimit në Shkodër për delegatët e kongresit të PS-së që pritet të mbahet më 5 nëntor nuk ka ecur ashtu siç duhet. Të paktën kështu rezulton nga qëndrimet e mbajtura nga zyrtarë të lartë të PS-së në Shkodër, ku ka mospërputhje mes shifrave që propagandojnë dhe atyre reale. Pas përfundimit të procesit të votimit për zgjedhjen e 18 delegatëve nga qyteti i Shkodrës, kreu i PS-së së rrethit Shkodër, Genc Uruçi, ka deklaruar se nga 1837 anëtarë në votim kanë marrë pjesë 1007 anëtarë, një numër ky i mjaftueshëm, sipas tij, për t’u quajtur i vlefshëm votimi. Në bazë të statutit të PS-së, që votimi të jetë i vlefshëm duhet që pjesëmarrja e votimit të jetë mbi 50%. Por burime brenda PS-së së qytetit të Shkodrës kanë bërë publike listën e plotë me emrat e gjithë personave të cilët kanë marrë pjesë në votimin për përzgjedhjen e delegatëve. Në listën katërfaqëshe të plotësuar me dorë nga vëzhgues socialistë të zgjedhjeve rezulton se në këto zgjedhje kanë marrë pjesë 253 anëtarë me të drejtë vote, nga 1887 të tillë, dhe jo 1007 sa propagandohet. Ndërkaq, në disa vende shihen edhe boshllëqe, ku persona të cilët kanë marrë pjesë në votim nuk kanë treguar emrin e tyre ndaj vëzhguesve, të cilët janë marrë me monitorimin e zgjedhjeve. Mostregimi i emrit tregon edhe manipulimin që është bërë në këtë rast. Për pasojë, burime brenda PS-së së Shkodrës kanë paralajmëruar parregullsi të procesit. Lista e votuesve fillon me emrin e kryetares së Partisë Socialiste të Shkodrës, Keti Bazhdari, e cila rezulton të ketë qenë e para votuese dhe përfundon me numrin 253, duke hedhur poshtë deklarimin e kreut socialist të rrethit se në këto zgjedhje kanë marrë pjesë 1007 persona.