Prokuroria sekuestron 20 kuti me materiale zgjedhore
Sot nis procesi i asgjësimit të fletëve të votimit dhe seleksionimi i materialeve zgjedhore
Leonard Olli ka konfirmuar dje për gazetën lajmin e sekuestrimit të këtyre kutive, ndërsa ka bërë të ditur gjithashtu se kutitë nuk kanë qenë të Bashkisë së Tiranës
Organi i akuzës ka shpejtuar të marrë bazën e nevojshme zgjedhore, që do mund t’i shërbejë për hetimet e hapura pas kërkesëpadive të paraqitura nga individë apo subjekte politike në lidhje me procesin zgjedhor të 8 majit. Ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të nisë sot në terren procesin e hapjes dhe djegies së fletëve të votimit të këtyre zgjedhjeve, prokuroria mësohet se ka sekuestruar një numër të konsiderueshëm prej afro 20 kutish të materialeve zgjedhore, për të cilat ka pasur indicie se mund të përmbajnë prova të nevojshme për proceset hetimore që ky organ ka hapur. Ndërkohë që sot në Lundër nis puna konkrete e hapjes së kutive, seleksionimit të materialeve të nevojshme dhe djegies së pjesës së panevojshme, përfshi këtu dhe fletët e votimit për të gjitha qendrat në të gjithë vendin.
Hetimi
Prokuroria gjatë muajit tetor ka sekuestruar rreth 20 kuti të materialeve zgjedhore për një sërë qendrash votimi në njësi të ndryshme, për të cilat ka pasur padi. Prokurorët mësohet se janë paraqitur për disa ditë rresht dhe kanë marrë me vete disa kuti materialesh zgjedhore, por kryesisht për njësi që nuk kanë të bëjnë me Tiranën. Kështu, zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli ka konfirmuar dje për gazetën lajmin e sekuestrimit të këtyre kutive, ndërsa ka bërë të ditur gjithashtu se kutitë nuk kanë qenë të Bashkisë së Tiranës. Megjithatë, burime të tjera bëjnë të ditur se edhe gjatë ditës së djeshme Prokuroria ka sekuestruar dy kuti të tjera të materialeve zgjedhore dhe kjo për hesap të dy kallëzimeve të ngritura nga Partia Socialiste që në muajin gusht, ku njëra ka të bëjë me problemin e listave të zgjedhësve, dublikimet, votimi i emigrantëve etj, ndërsa tjetra ka të bëjë me rezultatin e Tiranës dhe më konkretisht për mosrakordimin e shifrave. Pavarësisht këtyre sekuestrove, mësohet se veprimi i prokurorisë dhe çdo zbulim i saj ka për qëllim të nxjerrë dhe penalizojë shkelësit e ligjit, por pa mundur që të prekë më rezultatin e zgjedhjeve.
Fletët
Por duket se organi i akuzës është mjaftuar vetëm me kutitë që ka tashmë nën administrim hetimor, pasi ka lejuar KQZ-në që të vijojë normalisht procesin e hapjes së kutive të tjera dhe djegien e materialeve të panevojshme si dhe të fletëve të votimit. Ndaj sot në magazinat e KQZ-së në Lundër, punëtorët e pajtuar nga ky institucion do të nisin sipas radhës të ndjekin procedurat e hapjes së kutive. Fillimisht do të hapen kutitë e materialeve zgjedhore, ku do të veçohen listat e zgjedhësve dhe procesverbalet, të cilat do t’i kalojnë për administrim arkivit, si dhe materialet e tjera që mund të jenë të ripërdorshme dhe që mund të ndodhen brenda në kuti. Vetëm pas kësaj procedure do të nisë dhe hapja e kutive të fletëve të votimit. Pas hapjes së kutive në magazinat e Lundrës, makinat e ushtrisë të ardhura në ndihmë të KQZ-së do të marrin fletët e votimit për t’i transportuar në vend-asgjësimet e përdorura edhe më parë buzë lumit Erzen, ku dhe do të digjen.