E Shtunë, 31 Tetor 2026

Venecia e ODIHR: Të ngrihet sa më parë komisioni për reformën

TIRANË Për Komisionin e Venecias dhe OSBE/ODIHR-in puna për reformën zgjedhore duhet të fillojë sa më parë. Në përfundim të vizitës njëditore dhe takimeve të zhvilluara me krerë të partive, që vijuan dje në mëngjes edhe me ekspertët e dy partive kryesore në vend, por edhe me kryetarin e LSI-së, Ilir Meta, ekspertët e huaj kanë dalë në përfundimin se komisioni për reformën parlamentare duhet të nisë sa më shpejt. Sekretari i Komisionit të Venecias që kryesonte delegacionin e ekspertëve, Thomas Markert, deklaroi dje në konferencën për shtyp se ata do të jenë pjesë e ekspertizës gjatë punës që do të zhvillohet për reformën zgjedhore. “Jemi këtu të kontribuojmë për reformën zgjedhore të Shqipërisë. Nuk duhet të shohim pas, por para. Do të nxjerrim një opinion në mes të dhjetorit, por disa përfundime janë gati tani. E para është nisja e punës dhe ngritja e një komisioni parlamentar për reformën zgjedhore. Jemi optimistë që do funksionojë shpejt dhe më duhet të nënvizoj se puna duhet të nisë shpejt, sepse keni një numër të madh rekomandimesh. Çështjet janë të qarta, tani duhet që Parlamenti të fillojë të punojë mbi opinionet. Me 16-17 do kemi një opinion më të qartë për të adresuar çështjet e OSBE/ODIHR-it. Jemi gati të punojmë me komisionin parlamentar. Ne nuk punojmë me partitë politike, por me trupat zyrtare. Ne jemi për të ofruar këshilla dhe ekspertizën e duhur”- tha Markert. Gjatë konferencës, ekspertë të OSBE/ODIHR-it theksuan se vizita e përbashkët tregon gatishmërinë e tyre për të ndihmuar komisionin parlamentar në zbatimin e reformave. Ndërkohë, sekretari i Komisionit të Venecias, Thomas Markert, sqaroi njëherë e mirë se nuk ka asnjë dallim mes rekomandimeve të delegacionit të përbashkët të Komisionit të Venecias, OSBE/ODIHR-it, dhe opinionit të përbashkët që pritet të dalë në dhjetor lidhur me përmirësimet që mund t’i bëhen Kodit Elektoral. “Nuk ka ndonjë dallim mes opinionit dhe rekomandimeve... Besoj se disa çështje që janë diskutuar do të reflektohen në opinion, sidomos çështjet pas zgjedhjeve lokale dhe parlamentare. Reforma shkon larg, rekomandimet e OSBE/ODIHR-it kanë adresuar çështjet që duhen adresuar dhe nëse i zbatoni atëherë do bëni progres, ndaj mendoj se detyra kryesore është t’i qartësojmë këto rekomandime dhe të gjejmë mënyrat e duhura për t’i zbatuar ato”- tha Markert.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›