Rama: Programi i PS, taksa më të larta për të pasurit
Për herë të parë bëhen publike detaje nga programi politik i PS-së që pritet të miratohet në Kongres. Sistem i ri taksash, heqje e taksës së sheshtë, alternativë e re për arsimin, shëndetësinë dhe sigurinë e jetës e pronës
Shfuqizimi i taksës së sheshtë dhe vendosja e një sistemi të ri takse progresi, ku ai që fiton më shumë paguan më shumë, përbën një nga shtyllat kryesore të projekt-programit politik të Partisë Socialiste, që do t’i paraqitet për miratim Kongresit të 5 nëntorit. Ka qenë kryetari Rama ai që ka zbardhur dje disa detaje nga tërësia e këtij draft-programi që grupi i punës i ngritur për këtë qëllim ka hartuar. Duke folur para deputetëve në mbledhjen e grupit, Rama ndërmjet të tjerash ka folur dhe për punën e bërë në lidhje me formësimin e vijave të përgjithshme që do të përmbajë programi i kësaj force politike, ku përveç taksave ka përmendur dhe ndërhyrje në sistemin arsimor e shëndetësor, apo edhe në atë të sigurisë së jetës dhe pronës.
Programi
Rama ka theksuar se programi i PS-së do të bëjë dallimin e madh mes Partisë Socialiste dhe kundërshtarëve politikë. “Jemi në përfundim të projektit që përcakton qartë, qoftë rrugëtimin tonë drejt fitores së zgjedhjeve, qoftë dallimet e mëdha parimore e programatike mes nesh dhe atyre që keqqeverisin Shqipërinë me vota të vjedhura”, - tha Rama. Ndërkohë ai ka prezantuar dhe disa nga shtyllat kryesore që përmban ky draft, ku natyrisht reforma në taksa përbën thelbin dhe pikën më të rëndësishme të tij. Në lidhje me këtë pjesë, socialistët duket se kërkojnë të sanksionojnë edhe në program atë që kanë propaganduar ndër vite, pra vendosjen e një sistemi taksash të reja, heqjen e takës së sheshtë dhe taksimin e çdo qytetari në bazë të fitimit të tij. Siç bëri të ditur edhe Rama, ky sistem i ri taksash që kërkon të vendosë PS-ja në momentin kur do të vijë në pushtet, parashikon që, ai që ka fitimet më të mëdha, duhet të paguajë më shumë, ndërsa ai që ka fitime më pak, duhet të paguajë më pak taksa. “Kemi një alternativë të re për një ndryshim radikal të sistemit të taksave, që i jep fund taksimit të të gjithave njëlloj dhe vendos në themelin e sistemit parimin kush fiton më shumë, paguan më shumë, kush fiton më pak, paguan më pak”, - tha Rama duke iu referuar pikërisht sistemit të taksimit progresiv.
Reformat
Përveç sistemit të taksave, në programin politik të PS-së flitet gjithashtu edhe për një sërë çështjesh apo fushash të tjera të rëndësishme. Bëhet fjalë për sistemin shëndetësor, arsimor, sistemin e sigurisë së jetës, të sigurisë së pronës etj. Megjithatë, për këto çështje Rama nuk ka preferuar të ndalet më konkretisht, ndërsa e ka lënë këtë gjë për ditët në vijim. Kemi një alternativë të re për një ndryshim të shumëpritur të sistemit shëndetësor e arsimor. Kemi një alternativë të re për një ndryshim jetik të sistemit të sigurisë së jetës e të pronës publike apo private. Kemi një alternativë të re për një ndryshim radikal të qeverisjes së territorit e të mjedisit. Kemi një alternativë të re për Shqipërinë Europiane”, - tha më tej Rama. Ai ka bërë të ditur gjithashtu se të gjithë delegatët e Kongresit të ri të Partisë Socialiste do ta marrin në dorë që përpara projektin e ri së bashku me të gjitha materialet e punës së Kongresit.
Rama merr në dorëzim projekt-programin e PS
Grupi i punës i ngritur me vendim të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste që në muajin korrik, ka tashmë një material të plotë, i cili pritet që të shndërrohet tashmë në projekt-programin politik të kësaj force. Ilir Beqja dhe Ditmir Bushati i kanë dhënë dorën e fundit dje këtij materiali dhe gjatë ditës së sotme do t’ia dorëzojnë një kopje të tij kryetarit të Partisë Socialiste, i cili është njëkohësisht dhe kryetari i grupit të punës. Burime nga PS-ja kanë bërë të ditur se tashmë pritet dhe konfirmimi nga ana e kryesocialistit Rama që ky material të quhet në mënyrë zyrtare një projekt-program, i cili para se t’i paraqitet Kongresit për miratim duhet t’i kalojë më parë edhe Asamblesë Kombëtare. Ndërkohë që mësohet se ky draft do t’u shpërndahet delegatëve para se të vijnë në Kongres dhe për këtë qëllim është porositur që ai të dalë në një tirazh shumë të madh.