Delijorgji: Shpërthimi në Gërdec me prapavijë politike për të dëmtuar Shqipërinë, të merren parasysh provat e Kuliçajt për këtë
Avokati i Delijorgjit lexon mbrojtjen e tij duke kërkuar po ashtu të mos merret parasysh ekspertiza amerikane si në rastin e Ilir Metës
Ka ardhur radha e të fundmit të akuzuar për tragjedinë e Gërdecit, bashkëadministratorit të shoqërisë Albademil, Mihal Delijorgji, i cili u mbrojt në gjykatë me një material voluminoz ku referoheshin dhjetëra dokumente, që nga krijimi i Albademil e deri tek kontratat mes saj dhe kompanisë amerikane SAC.
Është Patrick Henry, i cili jo vetëm me dokumente por edhe i pranishëm në Ministrinë e Mbrojtjes, ka kërkuar të kryejë çmontim dhe çmilitarizm municionesh, theksoi avokati mbrojtës i Delijorgjit, Gëzim Veleshnja.
Patrick Henry ka mbajtur marrëdhënie zyrtare me administratën e Ministrisë së Mbrojtjes dhe strukturat e saj gjatë këtij aktiviteti dhe aludimi i prokurorisë se Delijorgji ka ndërhyrë në marrje vendimesh bie në kundërshtim me dokumentet e administruara në gjykim.
Referuar dokumenteve – shtoi avokati i Mihal Delijorgjit – shtetasi amerikan Patrick Henry, ortaku i vetëm i kompanisë SAC, krijoi një shoqëri të së drejtës shqiptare me emrin Albademil, e cila do të administrohej nga dy administratorë me detyra dhe përgjegjësi të ndara.
Konkretisht, Patrick Henry do të mbulonte fushën e çmilitarizimit deri tek transporti, ndërsa Delijorgji vetëm anën e financimit. Sipas kontratës së nënshkruar në vijim, rezulton nga dokumentet se Ministria e Mbrojtjes, nëpërmjet strukturave vartëse, mori përsipër vendin e demontimit, transportin e municioneve dhe llojin e tyre, si dhe sigurinë e procesit të demontimit, ndërsa SAC, nëpërmjet Albademil, do të përgatiste kantierin, do të organizonte punën dhe rekrutimin e punonjësve.
Duke kërkuar pushimin e çështjes penale në drejtim të Delijorgjit, avokati mbrojtës argumentoi se akuzat e prokurorisë janë të pabaza dhe tendencioze.
Prokuroria, tha avokati, duhet të merrte në konsideratë një shkresë të firmosur nga zv.drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, ku thuhet se 30 minuta para se të ndodhte shpërthimi, në dhomën ku flinte Rod Taylor, përfaqësues i shoqërisë SAC, ai ka instaluar një kamera në drejtim të fabrikës dhe ka filluar të filmojë.
Duke këmbëngulur se shpërthimi në Gërdec nuk ndodhi nga pakujdesia e punëtorëve, por për shkak të prapavijave politike në dëm të Shqipërisë, avokati këmbënguli se edhe ekspertiza e amerikanëve flet në mënyrë relative për shkaqet e rënies së zjarrit.
Për mënyrën se si është marrë kjo ekspertizë, avokati Gëzim Veleshnja tha se nuk janë zbatuar ligjet e shqiptare. Avokati iu referua një rasti shumë të freskët dhe që mesa duket do të kthehet në precedent.
Pikërisht vendimit të kolegjit penal në Gjykatën e Lartë, i cili shpalli të pavlefshëm ekspertimin e amerikanit Glenn Burt në videon Meta-Prifti dhe të anglezit Ardian Philips, sepse siç tha Gjykata e Lartë, nuk e morën detyrën sipas ligjeve.
Pra, vijon avokati, edhe në rastin e Gërdecit ekspertët nuk e morën detyrën sipas ligjit shqiptar, por nuk e morën as edhe sipas ligjeve të vendit të tyre./TCH