E Shtunë, 31 Tetor 2026

Posta Shqiptare shpërndan 150 mijë shpërblime për dy ditë

Posta Shqiptare ka marrë të gjitha masat dhe ka organizuar punën në të gjitha nivelet për një ecuri normale të procesit të pagesës së shpërblimit të pensionistëve për Vitin e Ri. Duke filluar që nga dita e hënë, të gjitha zyrat postare të caktuara për shpërndarjen e shpërblimit të pensionistëve kanë filluar punën normalisht për t’i shërbyer moshës së tretë. Gjatë tre ditëve të punës së pandërprerë janë shpërndarë në një situatë normale rreth 150 mijë shpërblime, pra afro 30% e totalit. Dinamika e numrit të pagesave të shpërblimeve rezulton në masën 13.9 % më 23 dhjetor dhe 14.3 % më 24 dhjetor. Njëkohësisht Posta Shqiptare është e angazhuar që të shpërndaje dhe për afro 100 mijë pensionistë pensionet në shtëpitë e tyre. Bashkë me to do t’u jepen falas dhe shpërblimet e fundvitit.

Zyrat postare do të funksionojnë pa ndërprerje çdo ditë të javës (përfshirë ditët e pushimit dhe festave) nga ora 07:30-20:00, por edhe deri sa të largohet pensionisti i fundit, për të cilët në mënyrë që të mos sorollaten është formuluar dokumentacioni përkatës për t’u plotësuar në sportel. Deri më tani është vënë në gatishmëri të plotë i gjithë stafi i Administratës Qendrore si dhe i Filialeve për të qenë në korrent me situatën dhe problematikat e mundshme që mund të lindin gjatë procesit të shpërndarjes. Duhet theksuar se shpërndarja e shpërblimeve do të bëhet në bazë të një grafiku të përcaktuar nga ISSH për pensionistët, grafik ky i cili është afishuar që dje në çdo zyrë dhe sportel postar. Paralelisht Drejtoria e Sigurisë Postare do të ushtrojë përgjatë gjithë kohës kontrolle të herëpashershme në zyrat postare, për të ndjekur ecurinë e procesit. Do të ketë gjatë gjithë kohës bashkëpunim me Policinë e Shtetit, si dhe me institucione të tjera si ISSH dhe KESH në rastet e mundshme sporadike të ndonjë ngërçi në shpërndarje, të cilat do të eliminohen në kohë rekord dhe me përpikërinë më të madhe. Eksperienca e viteve të mëparshme ka treguar se mungesa e energjisë elektrike ka qenë në disa raste një pikënisje për krijimin e radhëve dhe konfuzionit në sportele. Për këtë arsye, Posta Shqiptare ka pajisur me gjeneratorë shumicën e zyrave postare, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten gjatë këtij viti. Gjithashtu një pikë tjetër shumë e rëndësishme është dhe marrja e informacionit në çdo kohë deri në mbylljen e zyrës së fundit të shërbimit. Për këtë arsye, posta do të organizojë punën në dy turne, ku do të jenë në gatishmëri të plotë për çdo nevojë të klientit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›