Mediu "tërheq" edhe të tjerë

Zyrtarët
Mes zyrtarëve që kanë dhënë sqarime në lidhje me gjithçka dinin në lidhje me kontratat, ekzekutimin e tyre dhe me mënyrën e funksionimit të fabrikës së çmontimit të municioneve në Gërdec, janë të paktën dhe dy zyrtarë, një përfaqësues i Forcave të Armatosura dhe një i “Meico”-s, që tashmë janë persona nën hetim, por që ende nuk është vendosur nëse do të merren të pandehur apo jo. Sipas burimeve të informacionit të gazetës “Korrieri”, mësohet se emrat e drejtorit të Logjistikës tek Forcat e Armatosura, Dashnor Çaushi, dhe ai Sokol Ngjeçit, me detyrë mbikëqyrës pranë ndërmarrjes “Meico”, mësohet se janë ndër personat më me “risk” për t’u marrë si të pandehur. Ndërkohë që burime zyrtare pranë organit të akuzës i thanë dje “Korrierit”, se në fakt nuk janë të pakët personat që po merren në pyetje, emrat e të cilëve nuk mund të bëhen publikë për arsye hetimore, por me gjithë hetimet e kryera gjatë këtyre ditëve, ende nuk është vendosur që të pritet ndonjë tjetër fletëarresti, që mund t’u bashkëngjitet urdhrave të ndalimit të tre personave që tashmë janë në qeli: Mihal Delijorgjit, Ylli Pinarit dhe Dritan Minxollit.
Imuniteti i Mediut
Ndërkohë që zyrtarisht, zëdhënësja e Prokurorisë së Përgjithshme, Holta Zhiti, i tha dje “Korrierit”, se tashmë do të jetë grupi i hetimit i Prokurorisë së Përgjithshme, ai që do të hetojë ngjarjen e 15 marsit në Gërdec, që do të vendosë nëse do të kërkohet apo jo heqja e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu. Vazhdimi i hetimeve do të përcaktojë nëse do të ketë më pas një kërkesë zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme për Kuvendin, ku do të kërkohet heqja e imunitetit, për të pasur hapësira ligjore për t’u hetuar e ndoshta dhe për t’u marrë si i pandehur ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.