E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionet në Kushtetuese, 4 orë betejë policë-qeveri

Gjyqi për pensionet e policëve dhe ushtarakëve është zhvilluar si një betejë e ashpër në Gjykatën Kushtetuese mes përfaqësuesve të palëve të dëmtuara dhe qeverisë. Avokatët e Sindikatës së Policisë, Shoqatës së ish-Ushtarakëve, Shoqatës së ish-Policëve, por edhe Avokati i Popullit e kanë kundërshtuar fort ligjin për sigurimin shoqëror suplementar, duke u përballur bindshëm me përfaqësuesit e qeverisë dhe Kuvendit, të cilët kanë tentuar të argumentojnë se ky ligj sjell përfitime më të mëdha. Palët mbrojtëse kanë lexuar para trupit gjykues kërkesat pse kërkonin shfuqizimin e ligjit 10142, datë 15 maj 2009, si të papajtueshëm me Kushtetutën.
Kërkesa e shfuqizimit
Avokatët kanë deklaruar se ligji që kundërshtohet dëmton rëndë të drejtat dhe interesat e ligjshme pasurore të anëtarëve të shoqatës dhe respektivisht të sindikatës, të garantuara prej Kushtetutës. Në këtë aspekt është argumentuar se ligji është miratuar duke shkelur standardin kushtetues të një procesi të rregullt ligjor, të sanksionuar në nenin 42/1 të Kushtetutës, ku deklarohet se liria, prona dhe të drejtat të njohura me Kushtetutë dhe me ligj nuk mund të cenohen pa një proces të rregullt ligjor. Por, sipas avokatit Thimjo Kondi, ligji që atakohet përpara Gjykatës Kushtetuese është miratuar në shkelje të hapur të procedurës për miratimin e tij, të parashikuar në rregulloren e Kuvendit, që është akt normativ me fuqinë e ligjit dhe që bazohet në dispozitat kushtetuese. Siç argumentohet, ligji është hartuar me vendim të Këshillit të Ministrave më 15 prill 2009. Nga disa verifikime ka rezultuar se projektligji nuk është diskutuar me grupet e interesit, opozita nuk ka marrë pjesë në diskutimin e tij dhe as në votim. Gjithashtu, projektligji është diskutuar vetëm në Komisionin për Ekonominë e Financat dhe ka kaluar pa asnjë vërejtje thelbësore, duke mos u diskutuar në komisionet e tjera, siç janë ai për çështjet ligjore, administratën publike dhe të drejtat e njeriut, për punën dhe çështjet sociale e për sigurinë kombëtare. Diskutimi dhe miratimi i projektligjit në Komisionin për Ekonominë është bërë më 13 maj 2009 dhe më 15 maj e kaluar në seancë plenare, ku është diskutuar dhe miratuar. Në këtë rast, vuri në dukje Kondi, është vepruar në kundërshtim të hapur me nenin 69 të rregullores së Kuvendit, ku në pikën 3 deklarohet se projektligjet nuk mund të futen në kalendarin e punimeve të Kuvendit pa kaluar të paktën dy javë në data e paraqitjes së tyre, me përjashtim të rasteve kur në këtë rregullore parashikohet ndryshe.
Cenimi i Kushtetutës
Gjithashtu, dispozitat e ligjit të ri, për pjesën që përfshin punonjësit e policisë, janë të papajtueshme me nenin 49/2 të Kushtetutës, ku citohet se të punësuarit kanë të drejtën e mbrojtjes shoqërore të punës. Ligji i ri i bie ndesh kësaj, pasi cenon disa të drejta me karakter ekonomik e social të fituara për shkak të punës së kryer në vite. Më tej, janë përmendur disa dispozita të ligjit të ri që kufizojnë apo pakësojnë të drejtat e fituara nga ligjet e mëparshme, ku bie në sy dukshëm një rënie ekonomike për këtë kategori. Pra, dispozitat e ligjit të ri ulin në mënyrë të ndjeshme masën e përfitimit për pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi dhe ato suplementare, si dhe përfitimet sipas gradave e sipas kontributit të secilit punonjës policie. Kjo do të thotë që punonjësit e policisë që duhet të paguajnë kontribute më të mëdha për sigurime për efekt pensioni dhe që kanë grada më të larta, do të përfitojnë njësoj me ata që kanë kontribute më të vogla dhe paga më të ulëta.
Siguria juridike
Ndërkaq, mbrojtja ka treguar se ligji i ri cenon parimin kushtetues edhe të sigurisë juridike. Sipas nenit 4/1 të Kushtetutës, e drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit. Ky parim gjen konkretizim veçanërisht në veprimtarinë ligjvënëse të Kuvendit, i cili është i detyruar të miratojë ligje që bazohen në drejtësi, për të drejtat dhe liritë themelore të individit. Por, konsiderohet shkelje e parimit të sigurisë juridike edhe miratimi i ligjeve që cenojnë të drejtat subjektive të fituara me ligje të miratuara më parë e që i kanë prodhuar efektet e tyre, apo miratimi i ligjeve që shfuqizojnë dispozitat me këto të drejta, duke miratuar të reja dhe që ulin nivelin e standardeve të arritura. Më tej, kërkuesit e shfuqizimit të këtij ligji kanë përmendur edhe një sërë shkeljesh të tjera kushtetuese që janë bërë, deri edhe te parimi kushtetues i barazisë para ligjit.
Gjykata Kushtetuese
Në përfundim të seancës, Gjykata Kushtetuese deklaroi se meqë ishin paraqitur prova të reja, nuk do ta merrte vendimin tani, por do i linte kohën e mjaftueshme qeverisë t‘i studiojë këto prova dhe në një seancë tjetër të paraqesë argumentet e veta, ku edhe do të merret vendimi përfundimtar. Të njëjtin veprim ka sugjeruar edhe për avokatët e palëve që kërkojnë shfuqizimin e ligjit, për të studiuar argumentet që qeveria kishte sjellë ditën e djeshme. Edhe kjo seancë është ndjekur me interes të madh nga ish-policët dhe ish-ushtarakët, të cilët kanë qëndruar për rreth katër orë në pritje të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, duke shpresuar se e drejta e tyre kushtetuese do të triumfojë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›