E Diel, 1 Nëntor 2026

Delijorgji, kërkesa për lirimin sot në gjykatën e Tiranës

TIRANE- Gjykata e Tiranës do të nisë sot shqyrtimin e kërkesës së biznesmenit Mihal Delijorgji për lirimin nga qelia, pasi pretendon se kanë përfunduar afatet e paraburgimit. Delijorgji si dhe dy të pandehurit e tjerë, Ylli Pinari, ish-kreu i MEICO-s dhe Sokol Ngjeci, të akuzuar si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit që mori jetën e 26 qytetarëve të pafajshëm, po tentojnë me çdo kusht lirinë. Dosja e tyre ka kaluar sa në njërën gjykatë në tjetrën. Vetëm tri ditë më parë gjykata e Apelit e përcolli dosjen për në gjykatën e Tiranës, pasi prishi një vendim të mëparshëm, përmes të cilit ishte rrëzuar kërkesa e tre të akuzuarve për lirimin nga burgu. Treshja gjykuese e kryesuar nga Gerd Hoxha, do të marrë në shqyrtim këtë dosje dhe pasi të dëgjojë pretendimet e palëve, si dhe të llogarisë ditët që të akuzuarit kanë kaluar në qeli, do të vendosë për fatin e tyre. Nuk dihet ende nëse Delijorgji, Pinari dhe Ngjeci do të rifitojnë lirinë, apo do të vazhdojnë të qëndrojnë ende prapa hekurave dhe natën e ndërrimit të viteve. Dosja “Gërdeci” është voluminoze dhe për këtë shkak gjykatës do t’i duhet të interesohet në morinë e dhjetëra vendimeve të ndërmjetme, jo vetëm të gjykatës së Tiranës, por edhe në vendime të gjykatës së Apelit dhe asaj të Lartë, të cilat kanë lënë detyra për gjykatësin më të ulët që do të shqyrtojnë këtë çështje. Ndaj, duket që ka pak gjasa që të merret një vendim për të akuzuarit. Në tragjedinë e 15 marsit 2008 në Gërdec, nga shpërthimi i një fabrike demontimi humbën jetën 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë. Nën akuzë janë vënë 29 persona, por vetëm katër prej tyre ndodhen në qelitë e paraburgimit.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›