E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit shpërndajnë dhurata për fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës

28-12-2010 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha: Qeveria do bëjë gjithçka që ju, në mungesë të njerëzve tuaj më të dashur të keni një jetë sa më normale


Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me rastin e festave të fundivitit, organizuan sot një festë të posaçme për fëmijët e punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës. Në këtë festë mori pjesë edhe kryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Znj. Liri Berisha. Në fjalën e tij përshëndetëse në ceremoninë festive Kryeministri Berisha garantoi se “qeveria, do të bëjë gjithçka që të lehtësojë përpjekjet tuaja për të ndërtuar të ardhmen që ju meritoni”. “Ne me asgjë nuk mund të zëvendësojmë më të dashurit tuaj, por ne do të bëjmë gjithçka, që të keni mbështetje të plotë siç e meritoni, ky është një detyrim i madh i shoqërisë shqiptare ndaj jush, ndaj familjeve tuaja. Sakrifica sublime e baballarëve tuaj, e bashkëshortëve tuaj, e fëmijëve tuaj, qëndron në themel të rezultateve, të sukseseve, të garancisë së jetës, pronës, veprimtarisë së qytetarëve shqiptare, por edhe në themel të njërës prej arritjeve personale me të mëdha në jetën e çdo shqiptari, siç është lëvizja e lirë në Europë. Unë jam informuar për një solidaritet të madh që efektivat e policisë së shteti kanë treguar ndaj jush dhe unë dua ti përgëzoj ata, sepse kanë bërë një gjest prindëror  njerëzor, ndaj familjarëve dhe fëmijëve të miqve, të shokëve, të kolegëve të tyre, që nuk jetojnë më. Unë e kuptoj se problemet familjare janë të shumta, por ju ftoj ju, të mos nguroni në çdo rast për të kërkuar mbështetjen e autoriteteve shtetërore, aty ku ndodheni.  Ligjet dhe kuadri ligjor është plotësuar, por të jeni të sigurt ju, se ne qëndrojmë të gatshëm për çdo boshllëk dhe qeveria ime është e vendosur të bëjë çdo gjë, që ju në mungesë të njerëzve tuaj më të dashur të keni një jetë sa më normale. Dhe njëherë duke shprehur nderimin tim më të madh për veprën, për sakrificën sublime të prindërve tuaj, të bashkëshortëve tuaj, fëmijëve tuaj, policëve të rënë në krye të detyrës, ju uroj shumë gëzime, mbarësi shëndet në vitin e ri 2011. Festa e zhvilluar në hotel ‘Sheraton’ përfshinte argëtimin e fëmijëve me muzikë dhe lojëra argëtuese e po kështu shpërndarjen e dhuratave nga fondacioni SFI dhe donatorë të tjerë si dhe të ndihmave financiare të mbledhura si kontribut i të gjithë efektivave të Policisë së Shtetit për fëmijët e kolegëve të rënë në detyrë. Falë këtij kontributi 247 fëmijë nën moshën 18 vjeç të familjeve të policëve të rënë në detyrë morën secili si dhuratë një shumë prej 20 mijë lekësh të reja, kurse familjeve pa fëmijë ose me fëmijë mbi 18 vjeç iu dhuruan nga 10 mijë lekë të reja.


Lulzim Basha


Në një prononcim për mediat, ministri i Brendshëm Z. Lulzim Basha deklaroi se me kuadrin e ri ligjor për trajtimin e plotë të familjeve të punonjësve të policisë të rënë në detyrë, realizohet objektivi që asnjë familje të mos mbetet jashtë vëmendjes. “Sot është ditë feste për të gjithë, ditë feste e veçantë, festat e fundvitit dhe festa e sotme ka për qëllim të plotësojë sado të mundet mungesën e prindit, mungesën e babait për 246 familje shqiptare, ku 246 familjarët kanë rënë në krye të detyrës si punonjës të Policisë së Shtetit. Ky është një vit i shënuar përsa i përket arritjeve për trajtimin e këtyre familjeve. Pas një kohe të gjatë ne më në fund arritëm të kalojmë në parlamentin shqiptar ligjin për trajtimin e plotë të familjeve të punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës. Ky ligj parashikon në radhë të parë pagesën e plotë të efektivit të policisë të rënë në krye të detyrës duke përfshirë dhe ngritjen në gradë, pagesë e cila merret nga familjarët, nga fëmijët, nga bashkëshortja e këtyre të rënëve në krye të detyrës. Së dyti parashikon kredi me interes zero për strehimin e këtyre familjeve që kanë nevojë për strehim. Parashikon bursë të plotë në universitetet publike ose private të vendit dhe kam kënaqësinë t’ju them se këtë vit të gjithë fëmijët e punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës që dëshironin të ndiqnin shkollën e lartë, kanë fatin që ta ndjekin shkollën e lartë, universitetin, nëpërmjet programit të bursave të organizuar nga Ministria e Brendshme, madje në fund të procesit jo vetëm që kanë mjaftuar por edhe kanë tepruar bursat e ofruara me bujari nga universitetet publike dhe private të vendit. Po kështu jashtë kuadrit ligjor, por që ka nisur si praktikë duke filluar nga ky vit, ne kemi marrë masat si Ministri e Brendshme që çdo familjeje t’i ofrohet të paktën 10 ditë pushim falas në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme në Durrës. Po përfundon procesi i evidentimit i atyre bashkëshorteve të cilat nuk janë në marrëdhënie punësimi me qëllim trajtimin e tyre me prioritet jo vetëm nga drejtoritë e policisë në qarqe në përputhje me kualifikimin e bashkëshortëve të tyre. Së fundi, tjetër aspekt që po ndiqet me prioritet është edhe punësimi pas mbarimit të studimeve apo të arsimit përkatës të fëmijëve të punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës. Mund t’ju them se për herë të parë kemi një kuadër ligjor të plotë i cili jep vendime të plota, të pa-cunguara të këtyre familjeve, por kemi përveç këtij kuadri ligjor edhe një interes të veçantë nga strukturat e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, i cili manifestohet nëpërmjet këtij kontakti të vazhdueshëm me familjet për të trajtuar çdo problem apo shqetësim të tyre dhe mendoj se do të jetë një zhvillim i jashtëzakonshëm në krahasim me praktikat e kaluara.  Objektivi im ka qenë që asnjë familje të mos mbetej jashtë vëmendjes. Mendoj që sot kemi të gjithë instrumentet, të gjithë praktikat që asnjë familje, asnjë familjar i punonjësve të Policisë së Shtetit rënë në detyrë, të mos mbetet jashtë vëmendjes”- deklaroi ministri i Brendshëm, Lulzim Basha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›