Zv/kryeministri Meta në Gjakovë: Raporti i Dick Marty, frymëzim antishqiptar, do e hedhim poshtë

Zv/kryeministri dhe ministri i Ekonomisë Ilir Meta deklaroi gjatë një vizite në Gjakovë se raporti i eurodeputetit Dick Marty është një frymëzim antishqiptar i atyre që asnjëherë nuk janë pajtuar me integrimet e Kosovës dhe Shqipërisë. Komentet Meta i bëri pas takimit të zhvilluar me kreun e komunës së Gjakovës Pal Lekaj. “Ne hedhim poshtë me përbuzje këtë raport, të bazuar mbi halucinacione, trillime dhe fiksime aspak të faktuara. Nuk është hera e parë që qarqe të tilla nacionaliste, ekstremiste në Serbi frymëzojnë sulme të tilla ndaj Kosovës e Shqipërisë. Janë ato qarqe që janë të lidhura me përgjegjësinë e atij gjenocidi që ndodhi në Kosovë, në Bosnjë, në gjithë Ballkanin, pra janë pasuesit e politikës së Sllobodan Millosheviçit”- deklaroi numri 2 i qeverisë shqiptare. Sipas tij, ky raport është edhe kundër luftës së drejtë që bëri populli i Kosovës për lirinë e tij dhe njëkohësisht kundër afirmimit të Shqipërisë, si një vend plotësisht i devotshëm i komunitetit euroatlantik, që plotëson të gjitha detyrimet e veta. “Ato qarqe antishqiptare dhe anti-perëndimore kërkojnë të dëmtojnë një nga arritjet më të rëndësishme të dekadës së fundit, që është një Kosovë e lirë dhe demokratike, një Kosovë që është një shtet i lirë, që po tregon se funksionon përkundër atij gjenocidi të pashembullt që ndodhi këtu para 10 vjetëve”- vuri në dukje zv/kryeministri shqiptar.
Ai më tutje tha se Shqipëria do të nisë një ofensivë për të çmontuar këtë raport të zi dhe dashakeqas.