KQZ mblidhet sot për hapjen e kutive të zgjedhjeve 2009
TIRANE- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet sot në mesditë për të marrë vendimin për kutitë e votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Kjo është bërë e ditur disa ditë më parë në një njoftim në faqen on-line të KQZ-së. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë publik edhe relacionin si dhe projektvendimin, ku parashikohet se hapja e kutive, boshatisja e tyre dhe transportimi i fletëve në vendin ku do të bëhet djegia, do të zgjasin 60 ditë. Sipas njoftimit te KQZ rendi i ditës së mbledhjes së sotme është shqyrtimi i projekt-vendimit: “Për hapjen e kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore të përdorura për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, të datës 28 qershor 2009”. Vendimi i sotëm konsiston në djegien e fletëve të votimit dhe dërgimin e materialeve zgjedhore në arkivën e shtetit, gjë që kundërshtohet fort nga PS. Pikërisht ky vendim ka qenë dhe objekti i debatit mes opozitës dhe maxhorancës për më shumë se një vit, ndërsa ka shkaktuar përplasje të forta mes palëve në seancat e fundit të parlamentit. PS ka këmbëngulur që materialet zgjedhore të merren direkt nga KQZ, ndërsa maxhoranca kërkon dërgimin e tyre në arkivën e shtetit, prej ku mund të tërhiqen për tju vënë në dispozicion komisionit hetimor për zgjedhjet, nëse ai do të ngrihej, gjë që nuk është arritur as në seancën e fundit për këtë vit.
(s.g/balkanweb)
(s.g/balkanweb)