Analiza vjetore e Qeverisë, Berisha: Shembja e murit të vizave, arritja më e madhe historike në rrafshin e lirive dhe të drejtave njerëzore

Shefi i ekzekutivit Sali Berisha zhvillon bilancin vjetor të qeverisjes, në vigjilje të ndërrimit të viteve
Viti 2010 është viti në të cilin qytetarët shqiptarë, falë reformave të thella dhe të gjithanshme, shënuan arritjen e dytë më të madhe, në rrafshin e lirive dhe të drejtave njerëzore e dinjitetit qytetar pas rënies së perdes së hekurt: Lëvizjen e lirë në Evropë! Kjo ka qenë edhe arritja më e merituar e kësaj qeverisje, në kuadrin e të drejtave njerëzore, e cila ka qenë ndër më të vështirat. Kështu është shprehur kryeministri Sali Berisha në një komunikim që pati tani direkt me gazetarët. “Pasi ne e nisëm rrugën e Evropës si më të panjohurit, si njerëzit që jetuam në një bunker harrese, si një vend në të cilin vlerat e qytetërimit perëndimor shkelmoheshin në batërdira ideologjike, të panjohura për kontinentin, heqja e vizave për ne ishte më e vështira”- tha Berisha. Duke pohuar më tej, se qëllimi i gjithë aksioneve të opozitës gjatë këtij viti ka qenë ai i bllokimit të liberalizimit të vizave, sepse ai do të përbënte sukses për Sali Berishën dhe dështim për të. “Për të bllokuar vizat, u ndërmor greva qesharake e urisë dhe u bojkotua parlamenti”, shtoi ai. Kreu i qeverisë tha ndër të tjera se reformat mbeten kryefjala dhe prioriteti i punës së saj. Duke folur konkretisht për arritjet e vitit 2010, Berisha tha se liritë fetare dhe ato të medias, kanë njohur arritje të mëdha këtë vit. Sa i përket çështjes së kompromisit me opozitën për çështjen e zgjedhjeve, Berisha tha se ai do të pranohet që të kryhet vetëm nëse nuk prek votën e zgjedhësve.
...