Delina, mes vegimesh legjendare lartësohet dueti i dashurisë
bashkë me Çesk Zadenë. Solistët e parë të këtij baleti kane qenë Agron Aliaj në rolin Arbanit dhe Zoica Haxho në rolin e Delinës. Delina konsiderohet si një nga baletet më të njohur të repertorit shqiptar. Në libretin e ri, historia e Delinës rri në triptik bashkë me legjendat e Norës së Andrea Skanjetit, dhe me legjendën e Doruntinës. Libreti është ndërtuar në një ndërthurje te personazheve, simboleve dhe zhvillimeve që ndodhin në botën e rapsodive dhe legjendave arbërore, të cilët zbërthejnë veti të larta të një kulture autentike e të lidhur drejt për së drejti me faktorët historikë dhe ata të konstitucionit shpirtëror. Këto legjenda kanë lënë gjurmë të pashlyeshme përmes krijimtarisë artistike të popullit, shprehje e shijes së hollë estetike, e përgjithësimit historik të lashtë sa ekzistenca e tij. Brenda unitetit të motiveve dhe personazheve legjendarë gërshetohen tri prej tyre. Ngjarjet e dashurisë së madhe të dy vëllezërve Arbanit dhe Shotit për të bukurën Delinë, Rikthimi i Doruntinës për të mbajtur besën, Nora që lindi vajzë kundër dëshirës së përbetuar të atit, që e donte djalë deri në marrëzi dhe që e transformoi vajzën në trimëreshë. Në mes dallojmë Delinën, Arbanin, Shotin. Ata janë të lidhur me një miqësi të fortë nga fëmijëria deri në moshën e rinisë, çaste kur lind dashuria e madhe e të dy vëllezërve për Delinën-njëkohësisht dhe xhelozia mes tyre. Lind një njeri, të gjithë kthejnë vështrimin drejt legjendës së Norës të bukur që lind në mes të shkreptimave dhe të dramës së madhe ku i ati vret nënën që i lindi vajzën. Nora rritet jetime, e bukur dhe e fortë. Delina, Arbani, Shoti kthejnë kokat pas dhe para tyre si në vegim shfaqet për të kaptuar larg, Duruntina e hipur mbi kalë bashkë me të vëllain, Kostandin. Mes vegimesh legjendare dramatike lartësohet dueti i dashurisë së dlirë të Delinës dhe Arbanit. Shoti vuan. Sa lind dashuria e dlirë, ajo përgojohet nëpër thashethemet e fjalëhapësve që në festën e pranverës përfitojnë nga maskat. Të dashuruarit presin që dielli të ndrisë dhe ti ngrohë me shkëlqimin e tij të zjarrtë.....Kjo kryevepër shqiptare vjen në vijim të shfaqjeve të suksesshme që janë shfaqur në skenën e TKOB.